Përshëndetjeje te nderuar lexues, 

Siguracioni insurance aksidentNë vendi tonë sipas të dhënave të INSTAT, ndodhin rreth 120-180 aksidente rrugore në muaj, ku si pasoje e tyre shkaktohen dëme pasurore dhe jo pasurore.  Personat e dëmtuar dhe që janë të përfshirë në aksident me kusht që të mos jenë fajtor ose pasagjer, ligji nr.10076 dt. 12. 02. 2009 “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, i njeh të drejtën për të kërkuar shpërblimin e dëmit, ndaj kompanisë se sigurimit (te mjetit shkaktar të aksidentit) ose Byrosë Shqiptare të Sigurimit (kur automjeti shkaktar i aksidentit nuk identifikohet ose i mungon polica e sigurimit). Në këtë material informues do përpiqemi t’ju japim me shume informacion për hapat ligjore dhe personat qe mund të përfitojnë nga dëmtimet e ardhura, nga një aksident automobilistik.

LIGJI I ZBATUESHËM

  • Nenit 640 te Kodit Civil, “Demi pasuror qe shpërblehet përbehet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar. Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera ne mënyre të arsyeshme për te shmangur ose pakësuar demin, ato qe kane qene te nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e demit, si dhe shpenzimet e arsyeshme te kryera për te siguruar shpërblimin ne rruge jashtëgjyqësore”;
  • Nenit 643§1 i Kodi Civil, “Kur është shkaktuar vdekja e një personi, demi qe duhet te shpërblehet përbehet nga : a) shpenzimet për ushqim e jetese te femijeve , te bashkëshortes dhe prindërve te paafte për pune qe kane qene ne ngarkim te te vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe te personave qe banonin ne familjen e te vdekurit dhe qe gëzonin prej tij te drejtën e ushqimit; b) shpenzimet e duhura për varrimin e te vdekurit, ne masën qe ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare te te vdekurit”;
  • Ligji Nr.10076 dt.12.02.2009 “Mbajtësi i një mjeti motorik detyrohet te lidhe, me një sigurues te autorizuar, një kontrate për sigurimin e përgjegjësisë se tij ndaj personave te trete për mbulimin e vdekjes, te dëmtimit te shëndetit dhe te dëmeve pasurore, te shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik, duke përjashtuar demet ne mallrat gjate transportit”;
  • Vendim Unifikues i Kolegjeve te Bashkuara te Gjykatës se Larte nr. 12 i vitit 2007.
  • Rregullorja e AMF-se nr.53 date 25.06.2009 e ndryshuar.

ZBATIMI I LIGJIT NË RASTET E  SHPËRBLIMIT TË DËMIT 

Ne lidhje me subjektet : Sa i përket legjitimimit aktiv në këtë procedure (administrative ose gjyqësore), vlen të përmendet se Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues nr.12, datë: 14.09.2007 shprehen ndër të tjera se: “Në zbatim të neneve 608, 625, 643/a e vijues të K.Civil, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë konkludojnë të unifikojnë se: Çdo subjekt i cenuar në të drejta dhe interesa të ligjshme personale e pasurore nga fakti i paligjshëm, edhe nëse nuk është ai vetë subjekti pasiv i atij fakti, ka të drejtën subjektive, legjitimimin aktiv, për të kërkuar (ius proprius) dëmshpërblimin e dëmit pasuror e jopasuror të pësuar. Ky legjitimim aktiv, në parim, nuk kushtëzohet me gëzimin e cilësisë së trashëgimtarit të një perso,ni të dëmtuar, por vetëm me cilësinë e vetë paditësit si i dëmtuar nga fakti i paligjshëm.”.  Po ashtu Gjykata e Lartë në këtë vendim përcakton se: “Si rregull, legjitimim aktiv ka secili person që bën pjesë në lidhjen më të afërt gjinore familjare me të lënduarin në shëndetin e tij, përkatësisht me viktimën. Në rrethin e personave që kanë legjitimim aktiv përfshihen, në pozitë të njëjtë me fëmijën e mitur dhe bashkëshortin, përkatësisht, edhe fëmija kur lind i gjallë dhe personi që vërteton ekzistencën e bashkëjetesës së qëndrueshme ndjesore dhe ekonomike (more uxorio) me të lënduarin a vikimën. I mbetet shkaktuesit të dëmit barra e provës të vërtetojë të kundërtën.

Nderkohe neni 2/b i ligjit nr.10076, datë: 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” (ligji në fuqi) përcakton shprehimisht se:

1. Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit përfshin:

  1. b) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, që më poshtë do të referohet si sigurimi i pronarit, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;”.

Në nenin 11 të ligjit të mësipërm përcaktohet shprehimisht se:

  1. Pala e dëmtuar, bazuar në sigurimin, sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi, përgjegjës i pronarit të mjetit, me të cilin është shkaktuar aksidenti. Kërkesa për dëmshpërblim mund të paraqitet me shkrim ose në rrugë elektronike.
  2. Kërkesa për dëmshpërblim, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të përfshijë dëmshpërblimin e dëmeve pasurore dhe jopasurore.
  3. Siguruesit mund të lidhin marrëveshje ndërmjet tyre, sipas të cilave kërkesa për dëmshpërblim, që lidhet me dëmin e shkaktuar nga përdorimi i një mjeti motorik ndaj një mjeti tjetër motorik, mund të trajtohet nga siguruesi i drejtpërdrejtë i pronarit të mjetit motorik të dëmtuar.
  4. Siguruesi i drejtpërdrejtë ka të drejtën e rimbursimit nga siguruesi, përgjegjës i pagesave, që lidhen me dëmshpërblimin e kryer sipas pikës 3 të këtij neni, sipas kushteve, limiteve dhe afateve të përcaktuara në marrëveshjen ndërmjet tyre.
  5. Në rast aksidenti ndërmjet dy mjeteve motorike të identifikuara dhe të siguruara me kontratë sigurimi të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, pala e dëmtuar mund ta drejtojë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi i drejtpërdrejtë, në rast se është lidhur marrëveshja, sipas pikës 3 të këtij neni.

Në nenin 17 përcaktohet se:

1. Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik.

  1. Kontrata e parashikuar në pikën 1 të këtij neni lidhet nga pronarët:

a) e autobusëve urbanë, interurbanë dhe për transport publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira;

b) e autobusëve të transportit të punëtorëve dhe autobusëve të shoqërive turistike;

c) e taksive dhe makinave me qira, kur jepen së bashku me drejtuesin;

ç) e të gjithë tipave të mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve, si dhe të mjeteve lundruese pa motor;

d) e të gjithë tipave të mjeteve, të parashikuara në shkronjën “ç” të kësaj pike, të dhëna me qira së bashku me të paktën një anëtar ekuipazhi;

dh) e avionëve të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve;

e) e teleferikëve dhe të mjeteve të transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajin, metronë, si dhe të mjeteve të tjera, të cilat lëvizin mbi shina;

ë) e gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga fuqia, të përdorura për transportin publik me pagesë të pasagjerëve.

Më tej në nenin 22 të ligjit nr.10076, datë: 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” përcaktohet shprehimisht se:

  1. Pronari i mjetit motorik detyrohet të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet që mund t’u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti, me pasojë dëmtimin dhe humbjen e pronës dhe dëmin jopasuror, në rast vdekjeje, të dëmtimeve trupore dhe përkeqësimit të shëndetit.
  2. Kontrata e sigurimit, sipas pikës 1 të këtij neni, mbulon edhe dëmet jopasurore, me pasojë vdekjen, dëmtimet trupore dhe të përkeqësimit të shëndetit, të pasagjerëve të mjetit, shkaktar të aksidentit, si rezultat i përdorimit të tij.
  3. Sigurimi i përgjegjësisë së mbajtësit të mjetit motorik nuk mbulon dëmet e sendeve, të cilat i ka marrë përsipër t’i transportojë mbajtësi i mjetit, shkaktar i aksidentit dhe që ndodhen në mjetin në çastin e aksidentit.
  4. ”.

Pra të nderuar lexues në referim të dispozitave të lartpërmendura, personat e dëmtuar (qofte dhe si pasagjer të mjetit shkaktar të aksidentit) legjitimohet aktivisht dhe Kompania e Sigurimit ose Byroja, legjitimohet pasivisht në dëmshpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror të ardhur nga aksidenti automobilistik.

2. Natyra e demit. Dëmi që pësojnë nga një aksident automobilistik është dëm jashtëkontraktor dhe për ta kuptuar atë, duhet të referohemi dispozitave përkatëse të Kodit Civil, si dhe ligjit nr.10076, datë: 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si dhe vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Ndërsa, duhet mbajtur parasysh se sa i përket personit që rezulton të jetë përgjegjës për shpërblimin e dëmit, duke pasur parasysh natyrën specifike të rregullimit ligjor të përgjegjësisë për përdorimin e mjeteve motorike, kjo përgjegjësi është transferuar me kontratë nga përdoruesi i automjetit tek siguruesi.

  • Ekzistenca  e dëmit (dëmtimi i automjetit apo shëndetit me pasoje vdekjen te drejtuesit të mjetit ose pasagjereve, apo kalimtarit në rruge). Dëmi që shkaktohet është pasuror dhe jo-pasuror. Dëmi pasuror përbëhet nga dëmtimi të mjetit ato shëndetësor që kanë sjelle si pasojë paaftësinë për pune apo vdekjen dhe shpenzimet e varrimit kur si pasoje ka ardhur vdekja, sipas formulës së llogaritjes së këtij dëmi, bazuar në rregulloren nr.53/2009 të AMF-së. Ndërsa dëme jo-pasurore janë ato shëndetësore (të ndryshëm nga dëmi pasuror), ekzistencial dhe moral (sipas përcaktimit të vendimit unifikues).
  • Ekziston veprimi i paligjshëm, që materializohet tek aksidenti i ndodhur, detajet e këtij veprimi të paligjshëm përcaktohen në ekspertimit autoteknik që administrohet gjate hetimet nga organi i prokurorisë ose policisë rrugore.
  • Duhet të ekzistoj një lidhje shkakësore e drejtpërdrejtë, mes aksidentit dhe pasojës së ardhur.

Duke qenë se përgjegjësia civile për dëmet të ardhura nga aksidenti i mjetit motorik, transferohet tek kompania e sigurimit, atëherë në lidhje me këtë element (përgjegjësia civile) do të përgjigjet para palëve të dëmtuara, kompania e sigurimit.

3. Ne lidhje me llogaritjen e demit dhe masën e dëmshpërblimit që përfitojnë subjektet e dëmtuara: Demi pasuror sjell si pasoje cenimin e pasurisë se te dëmtuarit ne kuptimin e ngushte ekonomik, pra humbjen e pasurisë në mënyrë te paligjshme, ndaj dhe shpërblimi i demit pasuror ka për qellim te riktheje pasurinë e te dëmtuarit ne gjendjen e mëparshme. Në nenin 26 të këtij ligji parashikohet se:

  1. Detyrimi i shoqërisë së sigurimit, që rrjedh nga kontrata e sigurimit, e përcaktuar në nenin 22 të këtij ligji, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një shumë më e lartë.
  2. Kufiri minimal i përgjegjësisë, që mbulohet nga kontrata e sigurimit, sipas pikës 1 të këtij neni, për dëme të shkaktuara në territorin e Republikës së Shqipërisë, është si më poshtë:

a) për dëme pasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:

i) për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë;

ii) për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë;

iii) për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 50 000 000 lekë;

b) për dëme jopasurore, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh, të ardhura nga një ngjarje sigurimi, si më poshtë:

i) dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme e përhershme 1 000 000 lekë;

ii) dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera 500 000 lekë;

iii) dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme 2 000 000 lekë;

iv) dëmi ekzistencial, nga paaftësia totale e përhershme 1 500 000 lekë;

v) dëmi biologjik nga vdekja apo paaftësia totale e përhershme 1 000 000 lekë;

c) kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person  të dëmtuar në një ngjarje të sigurimit, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike 20 000 000 lekë;

ç) për dëme, të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës, nga një ngjarje:

i) për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 15 000 000 lekë;

ii) për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 20 000 000 lekë;

iii) për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 10 000 000 lekë.

  1. Në rast se ka disa palë të dëmtuara nga një ngjarje dhe vlera totale e dëmtimit tejkalon shumat e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, të drejtat e palëve të dëmtuara ndaj shoqërisë së sigurimit zvogëlohen në mënyrë përpjesëtimore.
  2. Shoqëria e sigurimit, që i ka paguar një pale të dëmtuar një shumë më të madhe se shuma e duhur, që rezulton nga zvogëlimi përpjesëtimor i dëmshpërblimit, pasi, pavarësisht nga masat e marra, nuk mund të parashikohej që kishte palë të tjera të dëmtuara, është përgjegjëse ndaj palëve të tjera, deri në plotësimin e të gjithë shumës së përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.
  3. Kufijtë minimalë të mbulimit në sigurim të kartonit jeshil përcaktohen në ligjet përkatëse të vendit anëtar të sistemit të kartonit jeshil, ku ndodh aksidenti.

Ndërkohë neni 608 i Kodit Civil parashikon se:

Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.

Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.

Në vijim neni 625 i Kodit Civil parasheh se:

Personi që pëson një dëm jopasuror ka të drejtë të shpërblehet kur:

a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit, të integritetit fizik ose psikik të tij;

b) është cenuar nderi, personaliteti ose reputacioni i tij;

c) është cenuar e drejta e emrit;

ç) është cenuar respektimi i jetës private;

d) është cenuar kujtimi i një të vdekuri. Në këtë rast bashkëshorti i personit të vdekur ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë mund të kërkojnë shpërblimin e dëmit jopasuror.

Në lidhje me sa më sipër, vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.12, datë: 14.09.2007 përcakton se:

Prandaj Kolegjet e Bashkuara arrijnë në përfundimin unifikues se: Dëmi jopasuror, i parashikuar në nenin 625 të Kodit Civil, si një kategori e gjerë dhe gjithëpërfshirëse e dëmevet jashtëkontraktore, përfshin çdo lloj dëmi të pësuar nga cenimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e njeriut dhe që nuk janë subjekt vlerësimi të drejtpërdrejtë ekonomik në treg. Në thelbin e saj, kjo dispozitë njeh të drejtën e dëmshpërblimit për çdo lloj dëmi jopasuror jashtëkontraktor, i cili është “i ndryshëm nga ai pasuror”. Renditja e “rasteve” të dëmit jopasuror në paragrafët “a” dhe “b’ të saj, nuk ka për qëllim të kufizojë, por të rregullojë në mënyrë të shprehur, për efekte të dallueshmërisë së cenimeve, të drejtën e dëmshpërblimit përkatës dhe rrethin e subjekteve që gëzojnë legjitimim aktiv.

Në këtë kuptim, dispozita e nenit 625 të K.Civil bën dallimin ndërmjet dy grupeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që nuk kanë natyrë pasurore të mbrojtura prej saj në rast cenimi: “dëmtimi i shëndetit” (e drejta absolute për shëndetin, në kuptimin biologjik) dhe cenimi i “personalitetit” (tërësia e të drejtave absolute të personalitetit). Nisur nga natyra specifike e të drejtave që mbrohen, në paragrafin “a” dhe “b” të nenit 625, ligjvënësi ka parashikuar dy raste të posaçme të dëmit jopasuror në personalitetin e njeriut: “cenimi i nderit” dhe “fyerja e kujtimit të një të vdekuri”.

 Sipas doktrinës e praktikës sonë gjyqësore dhe asaj ndërkombëtare, dëmtimi i shëndetit është figurë autonome e dëmit jopasuror, e ndryshme nga dëmi pasuror për “humbjen dhe pakësimin e aftësisë për punë” (neni 641 i K.Civil). Ndërsa në grupimin e dytë përfshihen dy figura të dëmit jopasuror, autonome nga njeri-tjetri, dëmi moral dhe dëmi ekzistencial.

Lidhur me rrethin e subjekteve që legjitimohen për kërkimin e dëmshpërblimit të dëmit jopasuror, këtë të drejtë e gëzon cilido që vërteton lidhjen shkakësore juridike ndërmjet faktit të paligjshëm të të tretit dhe dëmit të pësuar në të drejtat dhe interesat e tij të ligjshme jopasurore.”

Ndërsa neni 640 i Kodit Civil përcakton se:

Dëmi pasuror që shpërblehet përbëhet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar.

Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, ato që kanë qenë të nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe shpenzimet e arsyeshme të kryera për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore.

Ndërsa sipas nenit 643§1 te këtij Kodit Civil, parashikohet se :

Kur është shkaktuar vdekja e një personi, demi qe duhet te shpërblehet përbëhet nga :

a) shpenzimet për ushqim e jetese te fëmijëve , te bashkëshortes dhe prindërve te paafte për pune qe kane qene ne ngarkim te te vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe te personave qe banonin ne familjen e te vdekurit dhe qe gëzonin prej tij te drejtën e ushqimit;

b) shpenzimet e duhura për varrimin e te vdekurit, ne masën qe ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare te te vdekurit”;

Neni 646 i Kodit Civil përcakton se:

Për një person që nuk ka qenë në marrëdhënie pune ose nuk ka qenë i siguruar, masa e shpërblimit të dëmit të rrjedhur nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, caktohet nga gjykata në bazë të pagës që merr një punonjës i asaj kategorie me të cilën mund të barazohet edhe puna që kryente ose mund të kryente i dëmtuari.

Në vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.12, datë: 14.09.2007 përcaktohet se:

Në thelb, me dispozitën e nenit 608 të K.Civil dhe atë të nenit 18 të Dekretit nr.295, datë 15.09.1992 ligjvënësi parashikon mbrojtjen nga fakti i paligjshëm i të tretit të të drejtave të njeriut, posaçërisht të të drejtave subjektive (absolute a relative) të personalitetit dhe të pronësisë (reale), sikurse janë e drejta e jetës, shëndetit, personalitetit, dinjitetit, familjes, jetës private, pronës, etj. Në rast të cenimit të këtyre të drejtave nga fakti i paligjshëm, i dëmtuari gëzon të drejtën subjektive relative të kërkimit të dëmshpërblimit jashtëkontraktor.

Më tej në të njëjtin vendim përcaktohet se:

Në zbatim të nenit 609 të K.Civil për pranimin e përgjegjësisë civile jashtëkontraktore, duhet të vërtetohet lidhja shkakësore materiale ndërmjet sjelljes (veprimit a mosveprimit) së paligjshme e me faj dhe dëmit të shkaktuar. Në vijim, për përcaktimin e dëmtimeve (cenimeve) konkrete që rrjedhin nga ky fakt i paligjshëm dhe caktimin e dëmshpërblimit përkatës, duhet të vërtetohet edhe lidhja shkakësore juridike ndërmjet tyre.

Në vijim përcaktohet se:

Në mbështetje të neneve 608 dhe 643/a të Kodit Civil, anëtarët pasjetues të familjes, në lidhje të afërt dhe të qëndrueshme me të ndjerin e mitur që ka humbur jetën për shkak të një fakti të paligjshëm, kanë të drejtën e dëmshpërblimit në lidhje me dëmin pasuror të pësuar në formën e fitimit të munguar, si një pamundësi për të përfituar, në rrjedhën normale të jetës, solidaritetin dhe kontributin reciprok të të ndjerit të mitur, jo vetëm si përkujdesje në tërësi, por edhe si mbështetje ekonomike e tij për familjen në të ardhmen. Për efekt të legjitimimit aktiv për kërkimin e dëmshpërblimit nuk ka rëndësi rrethana që në kohën e vdekjes së të miturit, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes gëzojnë ose jo të ardhura të mjaftueshme për ushqim dhe jetesë.

Gjithashtu Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në përfundimin unifikues se: “Dëmtimi i shëndetit (dëmi biologjik) përbën, në thelb, cenimin e së mirës së shëndetit, të integritetit fizik dhe/ose psikik të njeriut. Ky dëm jopasuror, i parashikuar nga shkronja “a” e nenit 625 të Kodit Civil, është objekt kërkimi dhe dëmshpërblimi i pavarur nga dëme të tjera pasurore e jopasurore të pësuara nga i dëmtuari për shkak të të njëjtit fakt të paligjshëm.

Gjithashtu, Kolegjet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin unifikues se: Meqenëse jeta dhe shëndeti i njeriut nuk ka çmim, në respektim të parimit themeltar kushtetues të barazisë përpara ligjit dhe ndalimit të diskriminimit sipas nenit 18 të Kushtetutës, gjykata duhet të garantojë një gjykim uniform dhe vlerësim të njëjtë të përqindjes e të masës së dëmshpërblimit të dëmit biologjik, për çdo formë e shkallë konkrete të cenimit të përhershëm a përkohshëm të integritetit fizik ose psikik të të dëmtuarit, nëse mosha është e njëjtë dhe po i njëjtë është edhe lloji i dëmtimit shëndetësor fizik a psikik të pësuar.

Vendimin unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.12, datë: 14.09.2007 parashikon edhe se:

Dëmshpërblimi për dëmtimin e shëndetit sipas nenit 625/a të K.Civil kërkohet në mënyrë të pavarur nga kërkimi për dëmin pasuror të humbjes ose pakësimit të aftësisë për punë, i parashikuar në nenin 641 të K.Civil. Sipas kësaj dispozite, interesi pasuror i cenuar përkohësisht apo përgjithmonë si rrjedhojë e dëmtimit të shëndetit nga fakti i paligjshëm, është e drejta e njeriut, e parashikuar në nenin 49 të Kushtetutës, për të fituar mjetet e jetesës, pra edhe për të garantuar e shtuar pasurinë, nëpërmjet punës së ligjshme të zgjedhur me vullnetin e lirë të tij. Njëkohësisht përbën interes të ligjshëm të cenuar edhe pakësimi i pasurisë së të dëmtuarit në formën e shpenzimeve që ai përballon për përkujdesje dhe, në veçanti, për mjekimin e shëndetit të cenuar si rrjedhojë e pandërprerë e të njëjtit fakt të paligjshëm.

Më tej ato përcaktojnë se:

Dëmi moral (pretium doloris ose pecunia doloris) është shfaqje e brendshme, e përkohshme, e turbullimit të padrejtë (non iure perturbatio) të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje shpirtërore apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror që rrjedh si pasojë e faktit të paligjshëm. Cilido që pëson cenime në sferën e shëndetit dhe të personalitetit të tij nga veprimet a mosveprimet e paligjshme dhe me faj të një të treti ka të drejtën të kërkojë edhe dëmshpërblimin e dëmit moral të pësuar. Kjo e drejtë, në cilësinë e të dëmtuarit, i përket individualisht (ius proprius) edhe secilit prej familjarëve të afërt të personit që ka humbur jetën apo të cenuar në shëndetin e tij nga fakti i paligjshem, nëse vërtetohet lidhja e tyre e posaçme familjare, ndjesore dhe e bashkëjetesës. Dëmi moral i pësuar nga vetë të afërmit konsiderohet si pasojë, rrjedhim i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i të njëjtit fakt të paligjshëm.

Barra e provës për vërtetimin e dëmit moral është e paditësit. Por, nisur nga natyra subjektive e këtij dëmi dhe veçanërisht nga karakteri, shfaqja e brendshme e tij, vërtetimi i cenimit të personalitetit të të dëmtuarit në turbullime, dhimbje e vuajtje shpirtërore, etj, nuk mund të provohet në mënyrë tjetër përveçse duke i vlerësuar ius receptum si të mbështetura ligjërisht dhe duke i çmuar si të provuara ipso iure me vërtetimin nga paditësi të vetë faktit të paligjshëm të të tretit dhe lidhjes së këtij fakti me cenimin moral të pësuar, sipas parimit të rregullshmërisë shkakësore. Duke qenë provë në formën e prezumimit të thjeshtë, nëse shkaktuesi i dëmit nuk arrin të vërtetojë të kundërtën, ajo merr të njëjtën vlerë e fuqi të plotë provuese sikurse prezumimi ligjor iuris tantum (neni 13 i K.Pr.Civile).

Vendimi i mësipërm unifikues përcakton edhe se:

Dëmi ekzistencial i shkaktuar nga fakti i paligjshëm i të tretit cenon të drejtat e personalitetit të njeriut duke dëmtuar thuajse në mënyrë të përhershme shprehjen dhe realizimin e të dëmtuarit si njeri, shfaqjen e personalitetit të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe veprimtaritë e zakonshme të tij, duke i shkaktuar përkeqësim të cilësisë së jetës nga ndryshimi dhe prishja e ekuilibrit, sjelljes e zakoneve të jetës, të marrëdhënieve personale e familjare. Për shkak të një gjendjeje të tillë psiko-fizike, i dëmtuari nuk mund të kryejë më veprimtari të caktuara që karakterizonin pozitivisht qenien e tij apo mund t’a karakterizonin pozitivisht në të ardhmen, duke e detyruar të shtyhet drejt zgjidhjeve të ndryshme në jetë nga ato të dëshiruara e të pritshme apo në heqjen dorë nga këto të fundit për shkak të vërtetimit të faktit të paligjshëm. Dëmi ekzistencial, duke mos patur natyrë thjesht ndjesore e të brendshme, është objektivisht i vërtetueshëm.

Duke marrë parasysh, bazën e mësipërme ligjore në trajtimin e rasteve të dëmshpërblimit, duhet përfshirë dhe rregulloria nr.53/2009 të AMF, si dhe përcaktimet e vendimit unifikues, për aq sa ai zbatohet.

Në vijim ajo që mbart interes për rastet e dëmshpërblimit është analizimi i llojit dhe masës së dëmshpërblimit që duhet të përfitojnë i/të dëmtuari/t. Për këtë qellim, në praktikat administrative ose gjyqësore merret si prove një akti ekspertimit të përgaditur nga ekspert vleresuar demesh shendetesore ose autoteknik. Eksperti vlerëson masën e dëmshpërblimit sipas parashikimit të thënë më sipër. Ne referim të nenin 13(1) të ligjit nr.10076, datë: 12.02.2009, përcaktohet shprehimisht se: “1. Rregullat për trajtimin e dëmeve, që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm, sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, miratohen me vendim të autoritetit.” Kjo do të thotë se për llogaritjen e dëmshpërblimit në rastin e dëmeve të ardhura nga aksidentet automobilistike, është e nevojshme të mbahet parasysh rregullorja 53/2009, e cila përbën busullën orientuese në lidhje me masën e dëmshpërblimit. Natyrisht që në zgjidhjen e çështjeve të tilla duhet te mbahet parasysh Kushtetutën, ligjin nr.10076, datë: 12.02.2009, si dhe praktikën njehsuese të Gjykatës së Lartë, ç’ka do të thotë se duhet t’i përmbahemi limiteve ligjore për caktimin e dëmshpërblimeve përkatëse. Nga ana tjetër për shkak te hierarkisë se normave juridike,  mund të zbatohet drejtpërdrejtë ligjin, në rast se rregullorja 53/2009 ka një parashikim të kundërt me të, siç është rasti i llogaritjes së dëmit moral dhe atij ekzistencial. Gjithashtu rregullorja nr. 53 e AMF ne nenin 30 pika 1 parashikon: qe demi moral është shfaqje e brendshme e turbullimeve te gjendjes shpirtërore individuale dhe e familjareve te te dëmtuarit. Pra ne interpretim literat te këtij parashikimi ligjor dhe ne referim te praktikes unifikuese te Gjykatës se Larte,  demi moral i përket ne mënyrë individuale çdo familjari te dëmtuar, sepse nga vete natyra e këtij demi ajo nuk mund te bashkendahet mes familjareve, por duhet ti përkas në mënyrë individuale çdo familjari bashkëjetues me viktimën, brenda kufijve te përcaktuar ne ligj.

Të nderuar lexues, për çdo sqarim në lidhje me ketë publikim mos nguroni të na kontaktoni.

Me respekt !

Av. Mentor Bimi

Advertisements