Verdikti: Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk bie në kundërshlint me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare

i) FAKTE HISTORIKE

Pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912, ishte rezultat i lëvizjes për çlirim kombëtar të popullit shqiptar nga jugu në veri. Një kontribut mjaft të rëndësishëm në këtë proces dhanë natyrshëm edhe shqiptarët që jetonin prej shekujsh në territorin e Kosovës. Fuqitë e Mëdha të kohës, të mbledhura në kuadër të  të ashtuquajturit Koncert Europian, me vendimin që morën në Konferencën e Londrës më 29 korrik 1913, njohën Shqipërinë si vend të pavarur e sovran. Në periudhën në vijim, Konferenca do të përcaktonte edhe kufijtë e Shqipërisë, duke lëne padrejtësisht jashtë tyre më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët, përfshi këtu edhe Kosovën, e cila i aneksohej Serbisë. Më pas Kosova do të bëhej pjesë e Shtetit Serbo—Kroato—Slloven të krijuar më 1918, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1929, Shteti Serbo—Kroato—Slloven do të merrte zyrtarisht emrin Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u tentua që, në kuadër të parimit të vetëvendosjes, të ndërmerreshin hapa konkretë për bashkimin pas luftës të Kosovës me Shqipërinë. Në këtë drejtim vlen të përmendet Konferenca e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit e fillimit të janarit 1944 ( Konferenca e Bujanit, fshat në Tropojë). Megjithatë, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti pjesë e Jugosllavisë ose, më saktë, si krahinë autonome në përbërje të Republikës së Serbisë, që ishte një nga gjashtë republikat jugosllave.

Politika zyrtare e Serbisë, që me krijimin e saj si shtet i pavarur në 1878, ka qenë pothuajse gjithnjë ajo e  shtypjes, e shfrytëzimit dhe e diskriminimit të popullsisë shqiptare që jetonte nën sundimin e saj. Për më tepër, në vite ka pasur programe zyrtare dhe janë ndërmarrë veprime konkrete për shpëmguljen e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre. Kjo situatë përsëritet veçanërisht pas vitit 1948, kur përkeqësohen dukshëm marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, për shkak të përjashtimit të kësaj të fundit nga i ashtuquajturi kamp socialist. Krahas të tjerave, mjafton të përmendet se vetëm në vitet 50 të shekullit të kaluar, qindra mijë shqiptarë të Kosovës u detyruan të shpëmguleshin në Turqi.

Për shkak të kësaj gjendje, shqiptarëve të Kosovës u është dashur të luftojnë vazhdimisht për të drejtat e tyre, duke kërkuar ndër të tjera përmirësimin e kushteve të jetesës, respektimin e të drejtave kombëtare, si dhe statusin e republikës brenda Jugosllavisë. Për shkak të këtij presioni, Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 zgjeron dukshëm autonominë politike  dhe territoriale të Kosovës. Pavarësisht se sërish me emrin krahinë autonome, praktikisht, në këndvështrim të të drejtave të fituara, statusi i Kosovës pothuajse mund të barazohej me atë të republikave jugosllave.  Për më tepër, mbi këtë bazë, po në vitin 1974 ajo miratoi edhe kushtetutën e vet. Por me ardhjen e Milosheviçit në pushtet më 1985 dhe politikës së tij agresive për ringjalljen e nacionalizmit serb, gjendja e shqiptarëve në Kosovë filloi të keqësohej dukshëm përsëri. Kulmi arriti më 23 mars 1989 kur, me dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve, në prani të tankeve dhe forcave serbe të sigurisë, Parlamenti i Kosovës ”miratoi” amendamentet e reja kushtetuese, përmes të cilave kufizoheshin pothuajse tërësisht të drejtat e shqiptarëve, dhe krahina e Kosovës kthehej në fakt si aneks i Serbisë. Pak ditë më vonë, këto ndryshime do të pasqyroheshin edhe në kushtetutën serbe.

Ne këto kushte, shqiptarët e Kosovës shtuan rezistencën e tyre ndaj politikës zyrtare të Serbisë. Formë e kësaj rezistence ishte edhe krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në fillim të vitit 1990, si partia e parë politike opozitare në të gjithë Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Programi politik dhe filozofia e udhëheqësit të saj të shquar Ibrahim Rugova synonte respektimin e të drejtave të shqiptarëve dhe krijimin e Republikës së Kosovës, si pjesë e Jugosllavisë, por në rrugë paqësore, përmes dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare. Në këtë kuadër, më 2 korrik të vitit 1990, pavarësisht dhunës dhe terrorit serb, deputetët e Kosovës shpallën krijimin e Republikës së Kosovës, si pjesë përbërëse të Federatës Jugosllave, ndërsa më 7 shtator të atij viti miratuan edhe Kushtetutën e Kosovës. Në vijim, në shtator të vitit 1991 u organizua edhe referendumi popullor për pavarësinë e Kosovës.

2) ZHVILLIMET KRYESORE VITET 1998 — 1999 DHE REZOLUTA 1244 (1999)

Në vend të dialogut, këtyre masave të ndërmarra në rrugë paqësore, autoritetet serbe iu përgjigjën me rritje të represionit ndaj shqiptarëve. Me mijëra vetë u burgosën, u vranë dhe u torturuan. Gjendja ekonomike u përkeqësua në ekstrem. Në këto kushte, rreth vitit 1996 u krijua në ilegalitet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), si një rezistencë popullore e armatosur për mbrojtjen e popullsisë civile dhe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Në fillim të vitit 1998, forca të shumta të ushtrisë e policisë serbe, të mbështetura me armatim të rëndë, ndërmorën në vijimësi operacione të dhunshme kundër UÇK-së dhe popullsisë shqiptare të Kosovës, në përgjithësi, të cilat sensibilizuan bashkësinë ndërkombëtare e, në veçanti, SHBA-në. Në këto kushte, Këshilli i Sigurimit të OKB-së në mars 1998 miratoi Rezolutën 1160, përmes së cilës i kërkohej Serbisë të ndërpriste dhunën dhe të vendoste dialogun me shqiptarët. Në të kundën, forcat serbe shtuan edhe më shumë reprezaljet. Në shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë tjetër (Rezoluta 1199), përmes së cilës kërkohej sërish ndërprerja e luftimeve në Kosovë dhe vendosja e dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve, në praninë e një pale të tretë. Edhe kjo rezolutë praktikisht u injorua nga pala serbe. Për më tepër, më 15 janar 1999 forcat serbe u bënë autorë të masakrës së Raçakut, në të cilën u vranë barbarisht 45 shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Rreth 5 mijë banorë të këtij fshati u detyruan të lënë menjëherë shtëpitë e tyre. Katër ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit do ta dënonte ashpër këtë veprim, duke bërë thinje, gjithashtu, për identifikimin e fajtorëve dhe dërgimin e tyre në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Me propozim të Grupit të Kontaktit për Jugosllavinë, më 6 shkurt 1999 u zhvilluan në kështjellën Rambuje të Francës bisedimet serbo—shqiptare që synonin zgjidhjen e krizës. Në qendër të bisedimeve ishte projekti amerikan, i hartuar nën kujdesin e diplomatit Kristofer Hill, në të cilin propozohej, ndër të tjera, një autonomi e përkohshme ”substanciale” e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave, por që në fakt kishte mjaft karakteristika të një shteti të pavarur. Çështja e statusit përfundimtar parashikohej se mund të diskutohej vetëm pas kalimit të një afati trevjeçar, ”duke respektuar vullnetin e popullit”. Parashikohej, gjithashtu, vendosja e trupave të NATO-s në territorin e Serbisë, si garanci për zbatimin e marrëveshjes. Pas shumë hezitimesh, marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, ndërsa pala serbe e refuzoi kategorikisht atë. Për më tepër, ajo intensifikoi bombardimet, reprezaljet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë situatë, më 24 mars 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana autorizoi fillimin e sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë. Për 78 ditë me radhë u goditën objekte ushtarake, strategjike, industriale etj. Mendohej edhe për një ndërhyrje të mundshme tokësore të forcave të NATO-s. Në terren, për shkak të dhunës serbe, përveç vrasjes dhe zhdukjes së mijëra shqiptarëve, u dëbuan nga shtëpitë e tyre rreth 1 milion të tjerë, prej të cilëve rreth 700 mijë u vendosën në Shqipëri dhe rreth 300 mijë në Maqedoni.

Dy ditë pas fillimit të bombardimeve, më 26 mars 1999, Rusia i propozoi Këshillit të Sigurimit miratimin e një projektrezolute që konsideronte sulmet e NATO-s si në kundërshtim me nenet 2/4, 24, 36 dhe 51 të Kartës së OKB-së. Rezoluta nuk u miratua. Pro saj votuan vetëm Kina, Rusia dhe Namibia. Dymbëdhjetë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit ishin kundër.

Po kështu me vendimin e 2 qershorit 1999, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë refuzoi kërkesën e Jugosllavisë për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve të NATO-s, si një masë e përkohshme, në bazë të nenit 41/1 të statutit të kësaj gjykate. Sipas Gjykatës, në rastin konkret ajo nuk kishte juridiksion për gjykimin e kësaj kërkese.

Si rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s, më 10 qershor 1999 Milosheviçi dorëzohet dhe bie dakord që në të njëjtën ditë të fillonte tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Ndërkaq, po më 10 qershor 1999, në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244 (1999), përmes së cilës synohej ”të zgjidhej situata e rëndë humanitare dhe përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë”. Për këtë qëllim, në thelb, rezoluta parashikonte vendosjen e një administrate të përkohshme ndërkombëtare (UNM1K-u), në krye të së cilës duhet të ishte një përfaqësues i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKBsë. Kjo administratë do të krijonte dhe mbikëqyrte ”zhvillimin e institucioneve vetëqeverisëse dhe demokratike” në Kosovë, përfshirë këtu edhe organizimin e zgjedhjeve të lira. Parashikohej, gjithashtu, largimi përfundimtar i të gjitha forcave serbe nga Kosova, si dhe ndërprerja e çdo veprimi ushtarak nga ana e UÇK-së dhe grupeve të tjera shqiptare të armatosura. Për garantimin e Rezolutës 1244 dhe të paqes, parashikohej vendosja e një force ushtarake të NATO-s (KFOR-i) në Kosovë.

Në bazë të Rezolutës 1244, kompetencat dhe përgjegjësitë e UNMIK-ut do të përcaktoheshin më pas më në detaje me Rregulloren e UNMIK-ut 2001/9 të 15 majit 2001, të quajtur ”Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme”, e njohur ndryshe edhe thjesht si ”Komiza Kushtetuese”.

3) PLANI AHTISARI DHE DEKLARATA E PAVARËSISË

Në qershor të vitit 2005, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së caktoi përfaqësuesin e përhershëm të Norvegjisë në NATO zotin Kai Eide si të dërguar të veçantë të tij për të vlerësuar situatën në Kosovë. Në raportin që ai paraqiti më 7 shtator 2005, rekomandonte se kishte ardhur koha për të diskutuar e vendosur lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. I të njëjtit mendim ishte edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Në një deklaratë të bërë më 24 tetor 2005, Presidenti i Këshilli të Sigurimit theksonte se brenda këtij organi ka konsensus për të ”… filluar procesin politik të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, ashtu siç parashikohet edhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

Në nëntor të vitit 2005, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së caktoi ish-presidentin finlandez, zotin Marti Ahtisari, si të dërguarin e tij të veçantë në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Pas shumë kontakteve dhe bisedimeve intensive, më 2 shkurt të vitit 2007, Ahtisari paraqiti propozimin e tij lidhur me statusin e Kosovës, duke vënë në dukje, gjithashtu, se ”për shkak të qëndrimeve krejtësisht të kundërta, nuk mund të arrihet një marrëveshje mes palëve (serbe dhe shqiptare) mbi statusin e Kosovës”. Sipas tij, Kosova duhet të bëhej një shtet i pavarur nën mbikëqyrjen ndërkombëtare; duhej ngritur një komision për hartimin e një projektkushtetute, e cila duhej miratuar brenda 120 ditëve nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës; mandati i UNMIK-ut duhej të mbaronte pas një periudhe tranzitore prej 120 ditësh dhe, pas kësaj kohe, ”i gjithë pushteti legjislativ dhe ekzekutiv që i ishte dhënë UNMIK-ut duhet t’i transferohej en bloc autoriteteve qeverisëse të Kosovës; duhej të organizoheshin zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore jo më vonë se nëntë muaj nga hyrja në fuqi e kushtetutës etj.

Në korrik 2007, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i përcolli propozimet e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit, por i tërhoqi më pas, pasi nga debatet e zhvilluara ishte e qartë që ato nuk do të miratoheshin, për shkak të vetos që do të vinte Kina dhe Rusia. Nga gushti në dhjetor 2007 bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës u zhvilluan në kuadër të trojkës, të përbërë nga përfaqësues të Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Rusisë, por pa dhënë ndonjë rezultat konkret. Ndërkaq, më 17 nëntor 2007 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si edhe zgjedhjet për pushtetin vendor. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi shpalli Pavarësinë e Kosovës. Nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, ishin të pranishëm dhe votuan për Deklaratën e Pavarësisë 109 deputetë. Dhjetë deputetët e minoritetit serb, si dhe deputeti goran nuk ishin të pranishëm.

Ndër të tjera, në Deklaratën e Pavarësisë theksohet: 1. Ne, përfaqësuesit e popullit të zgjedhur në mënyrë demokratike, deklarojmë Kosovën si një shtet të Pavarur dhe sovran. Ky deklarim pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e përfaqësuesit të veçantë të OKB-së Marti Ahtisari, si dhe me propozimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës. 2.    Ne deklarojmë që Kosova do të jetë një shtet demokratik, republikë sekulariste dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e mosdiskriminimit dhe barazisë para ligjit. Ne do të mbrojmë dhe do të përkrahim të drejtat e të gjithë komuniteteve në Kosovë dhe do të krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në procesin politik dhe vendimmarrës… 3. 4.  5.    Ne mirëpresim vazhdimin e mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik përmes pranisë ndërkombëtare të vendosur në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit. Ne ftojmë dhe mirëpresim praninë civile ndërkombëtare për të mbikëqyrur zbatimin e Planit Ahtisari, si dhe misionin e Bashkimit Europian për shtetin e së drejtës. Prandaj ne marrim përsipër detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë edhe ato të përfunduara në emrin tonë nga UNMIK-u…

4) SHQYRTIMI I ÇËSHTJES NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

Me nismën e Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi më 8 tetor 2008 Rezolutën 63/3, pënnes së cilës, bazuar në nenin 96 të Kartës së OKB-së dhe në nenin 65 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i kërkohej kësaj të fundit të jepte mendim konsultativ lidhur me pyetjen: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e marrë nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Në bazë të nenit 66/1 të statutit të saj, Gjykata njoftoi të gjitha shtetet për këtë kërkesë, duke u kujtuar të drejtën që kishin për të marrë pjesë në gjykim. Bazuar në nenin 66/2 të statutit, ajo përcaktoi datën 17 prill 2009 si afatin e fundit për paraqitjen e mendimeve me shkrim nga shtetet e interesuara, ndërsa në bazë të nenit 66/4 përcaktoi datën 17 korrik 2009 si afatin e fundit, brenda të cilit shtetet dhe organizatat që kishin paraqitur më parë mendimet me shkrim të mund të bënin edhe komente me shkrim rreth mendimeve të paraqitura nga subjektet e tjera. Nga ana tjetër, Gjykata vendosi të ftonte edhe ”autorët e Deklaratës së Pavarësisë” për të paraqitur mendime dhe komente me shkrim, pasi kontributi i tyre vlerësohej se do të ishte i vlefshëm për vendimmarrjen e saj. Mendime rreth çështjes paraqitën 38 shtete (Venezuela një javë jashtë afatit, por iu pranua), ndërsa komente me shkrim mbi mendimet e shteteve të tjera, 15 shtete. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës morën pjesë në të dyja procedurat.

Më 8 qershor 2009, Gjykata njoftoi OKB-në dhe të gjitha shtetet e saj anëtare se seanca  gojore për gjykimin e çështjes do të çelej më 1 dhjetor të atij viti. Ajo theksonte se ato mund të merrnin pjesë në këtë fazë të gjykimit, pavarësisht nëse kishin paraqitur ose jo mendime dhe komente me shkrim.

Në seancën gojore, që filloi me 1 dhjetor 2009, paraqitën mendime dhe komente 29 shtete. Për palën shqiptare, mendimet dhe komentet për themelin e çështjes i paraqiti profesori i shquar gjerman Jochen Frowein, Drejtor Emeritus i Institutit Max — Planck për të Drejtën Kushtetuese dhe Ndërkombëtare në Heidelberg të -Gjermanisë, si dhe prof. Terry Gill i Universitetit të Amsterdamit. Është interesant të theksohet se në seancën gojore morën pjesë të gjithë gjyqtarët e GJND-së (15 gjyqtarë), por më pas, me 28 maj 2010, gjyqtari Shi dha dorëheqjen nga gjykata. Për këtë arsye, në vendimmarrjen përfundimtare të gjykatës janë 14 gjyqtarë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin e saj këshillimor më 22 korrik 2010, duke deklaruar me 10 vota pro dhe 4 kundër se ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk cenon normat e së drejtës ndërkombëtare”

Mendimi këshillimor i gjykatës është i ndarë në pesë pjesë, si më poshtë:

1) Juridiksioni dhe diskrecioni i gjykatës. 2)   Hapësira dhe kuptimi i çështjes. 3)   Faktet kryesore. 4)   Vlerësimi nëse Deklarata e Pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 5) Konkluzione të përgjithshme. Për vetë rëndësinë e problemeve të trajtuara në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare, në vijim do të ndalemi në argumentet dhe konkluzionet e gjykatës në pjesën e parë dhe të katërt të vendimit, konkretisht në çështjen e juridiksionit dhe diskrecionit të gjykatës, si dhe në vlerësimin e saj nëse Deklarata e Pavarësisë ishte ose jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

I. Gjykata thekson që në fillim të vendimit se veçanërisht në rastet kur i kërkohet të japë mendim këshillimor, detyrë e parë e saj është të vlerësojë nëse ka juridiksion për çështjen e paraqitur e, më pas, nëse kjo pyetje Merr përgjigje pozitive, ajo duhet të vlerësojë vetë, gjithashtu, nëse ekziston ndonjë arsye për të hequr dorë nga ushtrimi i këtij juridiksioni. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje ajo i referohet neneve 10, 11/2 dhe 12 të Kartës së OKB-së. Në nenin 10 thuhet, ndër të tjera, se ”Asambleja e Përgjithshme mund të diskutojë çdo çështje apo problem që hyn në kuadrin e kësaj Karte ose që ka të bëjë me detyrat dhe funksionet e çdo organi që parashikon Karta…”, ndërsa në nenin 11/2 vihet në dukje se ”Asambleja e Përgjithshme ka kompetencë të shqyrtojë çdo çështje që ka të bëjë me ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare dhe që paraqiten aty nga çdo shtet anëtar ose nga Këshilli i Sigurimit,… dhe të bëjë rekomandime…”. Ajo sqaron, gjithashtu, se kërkesa për mendim këshillimor nuk bie në kundërshtim me urdhërimet e nenit 12/1 të Kartës, e cila ndalon Asamblenë e Përgjithshme të bëjë rekomandime për një çështje apo mosmarrëveshje, me të cilën është duke u marrë Këshilli i Sigurimit. Gjykata thekson më pas se pyetja e shtruar para saj nga Asambleja e Përgjithshme ”ka qartësisht karakter ligjor”, në kuptim të nenit 96 të Kartës dhe nenit 65 të Statutit të saj, prandaj përfundon arsyetimin duke thënë se në këtë rast ka juridiksion për të dhënë mendim këshillimor. Ajo sqaron, gjithashtu, se ”fakti që pyetja ka edhe aspekte politike, nuk është i mjaftueshëm për të mohuar karakterin e saj si çështje ligjore” dhe se në rastet kur ka çështje ligjore, ”asaj nuk i interesojnë natyra dhe motivet politike që mund të kenë nxitur kërkesën, si dhe pasojat politike që mund të ketë vendimi i saj”.

Më pas Gjykata thekson se fakti që parimi sht ajo ka juridiksion për shqyrtimin e një çështjeje ”nuk do të thotë se ajo është e detyruar ta ushtrojë atë”, sepse, sipas nenit 65 të Statutit, ”ajo ka diskrecion për t’iu përgjigjur ose jo një kërkese për mendim këshillimor, pasi duhet të ketë parasysh edhe mbrojtjen e integritetit të natyrës dhe funksionit të saj, si organi gjyqësor krycsor i OKB-së”.

Megjithatë, para këtij vlerësimi, Gjykata preferon t’u përgjigjet argumenteve të disa shtetcve mbi mungesën e juridiksionit të saj në rastin konkret. Për këtë qëllim, ajo rikujton edhe njëherë në vendim se mendimi këshillimor ”përfaqëson pjesëmarrjen e saj në veprimtarinë e OKB-së, prandaj, në parim, kërkesat e kësaj natyre nuk duhet të refuzohen”. Në këtë kuadër, gjykata thekson se nuk ka arsye të forta që do ta detyronin atë t’i shmangej përgjigjes së pyetjes së shtruar para saj nga Asambleja e Përgjithshme, sepse:

1) Motivet që qëndrojnë pas pyetjes së bërë për dhënien e mendimit këshillimor ”nuk kanë lidhje… me ushtrimin e diskrecionit të saj për t’u përgjigjur ose jo”. 2)   Është e vërtetë qënë Rezolutën 63/3 të Asamblesë së Përgjithshme, që kërkon dhënien e mendimit këshillimor, nuk jepen arsyet përse duhet përgjigjja e gjykatës dhe nuk tregohen efektet e saj ligjore. Megjithatë, ” ritheksohet për të disatën herë që i përket organit që bën pyetjen për të vendosur nëse për ushtrimin e funksioneve të tij ka nevojë për këtë mendim dhe jo gjykatës”. 3)   Nuk mund të merren parasysh mendimet e disa shteteve se mendimi

këshillimor mund të çojë në përkeqësimin e situatës politike (lead to adverse political consequences). Pas këtyre argumenteve, Gjykata vlerëson në vendim nëse, në rastin konkret, ajo mund t’i shmangej përgjigjes së pyetjes, pasi ajo ishte bërë nga Asambleja e Përgjithshme dhe jo nga Këshilli i Sigurimit. Ajo thekson se ”fakti që kërkesa… ka të bëjë me një situatë që Këshilli i Sigurimit e ka cilësuar si kërcënim për pagën dhe sigurinë ndërkombëtare e që për këtë shkak vazhdon të mbetet në agjendën e tij, nuk do të thotë që Asambleja e Përgjithshme nuk ka interes të ligjshëm për të bërë kërkesën e paraqitur”. Po kështu, ”fakti që deri në këtë kohë Deklarata e Pavarësisë është diskutuar vetëm në Këshillin e Sigurimit dhe se vetëm këshilli ka qenë i angazhuar me situatën në Kosovë, nuk do të thotë se ka arsye të fortë për gjykatën për ta refuzuar përgjigjen e pyetjes së bërë nga Asambleja e Përgjithshme”. Për më tepër, po sipas Gjykatës, ”edhe fakti që në shqyrtimin e kërkesës ajo, në mënyrë të pashmangshme, duhet të interpretojë e zbatojë dispozitat e Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, nuk përbën arsye të fortë për të mos e gjykuar çështjen.” Lidhur me këtë argument, ajo sqaron se ”megjithëse interpretimi dhe zbatimi i vendimit të një prej organeve politike të OKB-së është, në radhë të parë, përgjegjësi e vetë organit që ka marrë këtë vendim, edhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ gjyqësor kryesor i OKB-së, i është kërkuar vazhdimisht të interpretojë e të përcaktojë efektet juridike të këtyre vendimeve. Dhe këtë detyrë ajo e ka bërë si në ushtrimin e juridiksionit të saj për zgjidhjen e konflikteve, ashtu edhe në ushtrimin e juridiksionit këshillimor”. Për sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se ”në shqyrtimin e çështjes së paraqitur nga Asambleja e Përgjithshme nuk konstatohet të këtë asnjë element që do të vinte në dyshim integritetin e funksionit gjyqësor të gjykatës”, prandaj ”nuk ka arsye të forta që ajo t’i shmanget ushtrimit të juridiksionit të saj” në rastin konkret.

II. Pjesa e katërt e vendimit përbën, në fakt, edhe thelbin e çështjes me të cilën u angazhua Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në mënyrë të argumentuar, ajo duhej t’i jepte përgjigje pyetjes së parashtruar para saj nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 ishte ose jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Gjykata thekson në fillim se veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 ”e drejta ndërkombëtare për çështjen e vetëvendosjes është zhvilluar në mënyrë të tillë saqë u ka njohur të drejtën e pavarësisë popujve në territoret ku nuk qeverisnin vetë, si dhe popujve të vendosur nën zgjedhën, sundimin dhe shfrytëzimin e huaj” dhe se ”një numër i madh shtetesh janë krijuar si rezultat i ushtrimit të kësaj së drejte”. Megjithatë, ajo vuri në dukje se ka pasur edhe shembuj të tjerë të deklarimit të pavarësisë jashtë këtij konteksti dhe se ”praktika e shteteve nuk e ka shtruar çështjen e adoptimit të një norme të re të së drejtës ndërkombëtare për ta ndaluar deklarimin e pavarësisë në këto raste”.

Gjykata vuri në dukje se disa nga shtetet pjesëmarrëse në gjykim janë shprehur se ndalimi i deklarimit të njëanshëm të pavarësisë është vetiu i nënkuptuar, në kuadër të parimit të integritetit territorial. Për këtë arsye, ajo thekson në vendim se ”ky parim… është element i rëndësishëm i rendit juridik ndërkombëtar dhe përmendet në Kartën e OKB-së, veçanërisht në nenin 2/4 të saj, ku thuhet se ”Në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, të gjithë anëtarët e OKB-së duhet të heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti…”. Ajo shtoi, gjithashtu, se edhe rezoluta 2625 (XXV) me titull ”Deklarata mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare lidhur me marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes shteteve në përputhje me Kartën e OKB-së”, e cila pasqyron normat e së drejtës ndërkombëtare zakonore, vë në dukje se ”shtetet, në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, duhet të heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të çdo shteti”. I njëjti formulim ndodhet edhe në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe në një sërë aktesh të tjera ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, gjykata arrin në përfundimin se ”parimi i integritetit territorial vepron në sferën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve”.

Disa nga shtetet kishin përmendur në argumentet e tyre rezolutat e Këshillit të Sigurimit përmes, të cilave ishte dënuar deklarimi i pavarësisë, siç ishte rasti i Rodezisë së Jugut (rezolutat 216 dhe 217 (1965)), Qipros së Veriut (Rezoluta 541 (1983)), Republikës Sërbska (Rezoluta 787 (1992)) etj. Gjykata theksoi se ”në të gjitha këto raste, Këshilli i Sigurimit kishte vlerësuar situatën konkrete që ekzistonte në kohën kur ishin bërë këto deklarata pavarësie. Prandaj, dënimi i tyre nuk është bërë për shkak të karakterit të njëanshëm, por për shkak të faktit se ato kishin ardhur si rezultat i përdorimit të paligjshëm të forcës ose shkeljes së rëndë të normave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të atyre që kanë karakter të detyrueshëm (peremptoly), jus cogens). Sipas gjykatës, ”Në kontekstin e Kosovës, Këshilli i Sigurimit nuk e ka mbajtur asnjëherë këtë qëndrim. Rezolutat e miratuara prej tij për situatën në Kosovë nuk përmendin në asnjë rast ndalimin e deklarimit të njëanshëm të pavarësisë…”.

Më pas gjykata  u ndal në argumentet e disa shteteve lidhur me kufijtë e shtrirjes së të drejtës së vetëvendosjes dhe vlerësimin nëse ekziston ose jo një e drejtë për ”shkëputje përfundimtare” (remedial secession — shkëputje si opsion i fundit). Lidhur me këtë, gjykata vuri në dukje se problemi kryesor i kësaj çështjeje është ”e drejta për t’u ndarë nga një shtet”. Ajo theksoi se ”siç mund të konstatohet lehtë nga argumentet e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në gjykim, ky problem del jashtë hapësirës së vlerësimit të pyetjes së shtruar nga Asambleja e Përgjithshme”. Sipas saj, për t’iu përgjigjur pyetjes është e nevojshme vetëm të përcaktohet ”nëse Deklarata e Pavarësisë cenon normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare ose lex specialis-in e krijuar përmes Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit”.

Mbi këtë bazë, gjykata an•in në përfundimin se ”në normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare nuk konstatohet asnjë ndalim konkret (applicable prohibition) për deklarimin e pavarësisë”, prandaj ”Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.

Pas këtij përfundimi, gjykata shqyrton koneksitetin apo efektet juridike të Rezolutës 1244, me qëllim që të përcaktojë nëse ajo ka krijuar ose jo norrna të veçanta e, për rrjedhojë, detyrime sipas së drejtës së zbatueshme ndërkombëtare, që lidhen me pyetjen e bërë nga Asambleja e Përgjithshme mbi ligishmërinë e Deklaratës së Pavarësisë…”. Për këtë qëllim, gjykata thekson fillimisht se Rezoluta 1244 është miratuar nga Këshill i Sigurirnit, duke u bazuar shprehimisht në kapitullin VII të Kartës së OKB-së, prandaj është e qartë që ajo vendos detyrime juridike ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, ajo thekson se ”asnjë ngapjesëmarrësit në proces nuk e ka vënë në dyshim faktin që kjo Rezolutë ,… e cila merret specifikisht me gjendjen në Kosovë, është pjesë e së drejtës që duhet të merret në konsideratë në rastin konkret”. Në vijim, gjykata i referohet rregulloreve të UNMIK-ut, përfshirë këtu, sigurisht, rregulloren 2001/9 që shpall Komizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme, në të cilat përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë në administrimin e Kosovës ndërmjet Përfaqësuesit të Veçantë (special) të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe institucioneve për vetëqeverisjen e përkohshme. Ajo thekson se këto rregullore janë miratuar nga Përfaqësuesi i Veçantë i Sekretarit të Përgjithshëm, në bazë të kompetencave të dhëna nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e, për pasojë, edhe në bazë të Kartës së OKB-së. Prandaj, gjykata arrin në përfundimin se ”fuqia detyruese e Komizës Kushtetuese buron nga vetë karakteri detyrues i Rezolutës 1244 (1999) e, për rrjedhojë, nga normat e së drejtës ndërkombëtare”. E për këtë shkak, sipas saj, Komiza Kushtetuese ”ka karakter juridik ndërkombëtar”.

Megjithatë, gjykata thekson më pas se, në të njëjtën kohë, Komiza Kushtetuese funksionon si pjesë e një rendi juridik të veçantë të krijuar nga Rezoluta 1244, i cili është i zbatueshëm vetëm në Kosovë. Qëllimi i këtij rendi juridik të veçantë është që gjatë periudhës se ndërmjetme të përcaktuar nga vetë Rezoluta 1244, ”të rregullojë çështjet që normalisht me shumë i përkasin së drejtës së brendshme sesa së drejtës ndërkombëtare. Prandaj edhe Korniza Kushtetuese zbatohet si pjesë e kuadrit ligjor të miratuar për administrimin e Kosovës gjatë periudhës transitore”. Institucioneve të krijuara prej saj … është dhënë nga vetë ajo kompetenca të marrin vendime që duhet të zbatohen brenda këtij kuadri ligjor… Prandaj edhe Kuvendit të Kosovës i është dhënë kompetenca të miratojë legjislacion që ka fuqinë e ligjit brenda këtij rendi juridik, pavarësisht se ai i nënshtrohet autoritetit mbikëqyrës të Përfaqësuesit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”. Gjykata thekson më pas se ”as Rezoluta 1244 (1999) dhe as Korniza Kushtetuese nuk përcaktojnë kohën se deri kur do të zbatohen ose zëvendësohen me akte të tjera. Prandaj, ato përbënin të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë deri më 17 shkurt 2008. Nga sa më sipër, ajo arrin në përfundimin se ”Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit, si dhe Korniza Kushtetuese formojnë pjesë të së drejtës ndërkombëtare që duhet të merret në konsideratë në përgjigjen që do t’i jepet pyetjes së shtruar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”.

Më pas, duke bërë interpretimin e Rezolutës 1244, gjykata thekson se objekti dhe qëllimi i Rezolutës …ishte krijimi i një regjimi juridik të veçantë dhe të përkohshëm, i cili, për shkak të shtrirjes dhe efekteve që i njihen shprehimisht, zë vendin e rendit juridik serb. Regjimi juridik që u vendos synonte stabilizimin e Kosovës gjatë periudhës së përkohshme (tranzitore).

Gjykata .më pas i kthehet çështjes nëse Rezoluta 1244 (1999) apo aktet e miratuara më pas, në bazë e për zbatim të saj, ndalonin në mënyrë specifike shpalljen e një deklarate për pavarësi. Për këtë qëllim, ajo theksoi se fillimisht duhet të përcaktojë saktësisht se kush e shpalli Deklaratën e Pavarësisë në rastin konkret. Në përcaktimin e saktë të identitetit të autorëve të Deklaratës së Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, synohej të sqarohej nëse ai ishte akt i miratuar nga Kuvendi i Kosovës si një nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të krijuara nga Korniza Kushtetuese, apo nga persona që kishin vepruar me një cilësi tjetër. Për këtë çështje gjykata arrin shumë shpejt përfundimin se ”autorët e Deklaratës së Pavarësisë… nuk e ndërmorën këtë veprim në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse brenda Kornizës Kushtetuese, por si persona që së bashku vepruan në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës, jashtë kuadrit të administratës së përkohshme”.

Pas këtij arsyetimi, gjykata merret me çështje nëse autorët e Deklaratës së Pavarësisë kishin vepruar në kundërshtim me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit. Kjo çështje kishte qenë, në fakt, ndër problemet më të debatuara gjatë seancës me shkrim dhe seancës gojore. Për këtë qëllim gjykata paraqet në vendim në detaje dispozitat respektive të Rezolutës 1244 (1999), për të vlerësuar më pas nëse përmes saj ndalohen autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 për të deklaruar pavarësinë nga Republika e Serbisë. Ajo thekson fillimisht se Rezoluta nuk përmban ndonjë dispozitë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës ose lidhur me kushtet e përcaktimit të saj. Sipas gjykatës, praktika bashkëkohore e Këshillit të Sigurimit tregon se ”kur Këshilli i Sigurimit ka vendosur kushte kufizuese (restrictive conditions) për statusin përfundimtar të një territori, këto kufizime  përmenden shprehimisht në rezolutën respektive… Prandaj, në rastin konkret, sipas vetë përcaktimeve të Rezolutës 1244 (1999), konstatohet qartë që Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes të drejtën e zgjidhjes përfundimtare të situatës në Kosovë, duke heshtur, gjithashtu, edhe për çështjen e kushteve në përcaktimin e statusit final të Kosovës”. Për këto arsye, gjykata arrin në përfundimin se Rezoluta 1244 (1999) ”nuk pengon shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, sepse këto dy akte veprojnë në nivele të ndryshme: në ndryshim nga Rezoluta 1244 (1999), Deklarata e Pavarësisë është një përpjekje për të përcaktuar përfundimisht statusin e Kosovës”.

Duke iu kthyer çështjes së detyrimeve që burojnë nga Rezoluta 1244 (1999), Gjykata vë në dukje se kur interpreton rezolutat e Këshillit të Sigurimit, asaj i duhet të vendosë ”rast pas rasti, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse, për të cilat Këshilli i Sigurimit synonte krijimin e detyrimeve ligjore”. Ajo thekson, gjithashtu, se ”nuk ka qenë e pazakontë që Këshilli i Sigurimit t’u vërë detyra edhe aktorëve të tjerë, përveç shteteve anëtare të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare”. Por, në rastin konkret, sipas gjykatës nuk konstatohet që Rezoluta 1244 (1999) t’i këtë vënë detyra lidershipit të shqiptarëve të Kosovës apo aktorëve të tjerë, pavarësisht se në paragrafin 14 të saj gjendet shprehja ”të gjithë të interesuarve”. Prandaj gjykata shton se ”..nuk mund të pranojë argumentet e disa shteteve që Rezoluta 1244 (1999) e ndalon deklarimin e pavarësisë dhe se ky ndalim është i detyrueshëm edhe për autorët e Deklaratës së Pavarësisë… Një ndalim i tillë nuk rezulton as nga gjuha e përdorur në Rezolutë në të gjithë kontekstin e saj… Objekti dhe qëllimi i kësaj Rezolute është krijimi i një administrate të përkohshme në Kosove, pa bërë asnjë përcaktim lidhur me çështjen e statusit përfundimtar”.

Më pas Gjykata merret me zbërthimin e kuptimit të shprehjes ”zgjidhje politike” që përmban Rezoluta 1244 (1999), konkretisht paragrafi 11/c i saj ku, ndër të tjera, thuhet se ”përgjegjësitë kryesore të pranisë civile ndërkombëtare do të jenë… organizimi dhe mbikëqyrja e institucioneve të përkohshme në ushtrimin e funksioneve vetëqeverisëse autonome dhe demokratike, deri në arritjen e një zgjidhjeje politike”. Por, sipas gjykatës, shprehja ”zgjidhje politike” e këtij paragrafi, që është përmendur si argument nga shumë shtete gjatë shqyrtimit të çështjes, ”nuk e ndryshon konkluzionin e saj se Rezoluta 1244 (1999) nuk i ndalon autorët për të shpallur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Ajo sqaron më tej në vendim se shprehja ”zgjidhje politike” e Rezolutës 1244 (1999) është bërë ”në kontekstin e renditjes së përgjegjësive të Pranisë Civile Ndërkombëtare, kryesisht për Përfaqësuesin e Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë dhe për UNMIK-un dhe jo për aktorët e tjerë”. Mbi këtë bazë, gjykata arrin në përfundimin se kjo shprehje ”nuk duhet interpretuar se nënkupton edhe ndalimin…. e autorëve të Deklaratës për të shpallur pavarësinë. Pra Rezoluta 1244 (1999)… nuk i ndalon autorët e Deklaratës së 17 shkurtit 2008 për të shpallur pavarësinë nga Republika e Serbisë. …Deklarata e Pavarësisë nuk cenon kështu Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit”.

Së fundi, duke iu referuar pretendimeve të disa shteteve se Deklarata e Pavarësisë cenon Kornizën Kushtetuese të hartuar nën kujdesin e UNMIK-ut, Gjykata vë në dukje se , siç ka theksuar edhe më sipër në këtë vendim, ”Deklarata e Pavarësisë… nuk është shpallur nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse dhe nuk është një akt që synon të ketë efekt… brenda rendit juridik, në të cilin veprojnë institucionet e përkohshme”. Për pasojë, ajo thotë se ”Autorët e Deklaratës së Pavarësisë nuk ishin të lidhur nga kompetencat dhe përgjegjësitë… e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse”. Mbi këtë bazë gjykata arrin në përfundimin se Deklarata e Pavarësisë nuk cenon as Komizën Kushtetuese.

Në përfundim të arsyetimit të mësipërm, në mënyrë të përmbledhur, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thekson se ”…Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, si dhe Kornizën Kushtetuese. Për pasojë, miratimi i kësaj Deklarate nuk cenon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

Shih: Vendim i GJND-së (ICJ) nt: 141/2010, si dhe Deklarata e shtypit respektive e datës 22 korrik 2010

Në mënyrë të përmbledhur, çështjet kryesore të trajtuara në mendimin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë:

VËZHGIM I PËRGJITHSHËM: Administrata e Përkohshme e Kosovës, krijuar nga Këshilli i Sigurimit; Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit; Krijimi i Misionit të  Përkohshëm të OKB-së në Kosovë (UNMIK); Roli i Përfaqësuesit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm; ”Katër kolonat” kryesore të veprimtarisë së UNMIK-ut; Komiza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohslune; Marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse me Përfaqësuesin e Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Ngjarjet kryesore që i paraprinë procesit të statusit përfundimtar; Caktimi nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i të Dërguarit të Veçantë (Special) për procesin e statusit të Kosovës; Dështimi i procesit konsultativ; Propozimi i të Dërguarit të Veçantë për zgjidhjen e statusit të Kosovës; Dështimi i bisedimeve për statusin e Kosovës, në kuadër të trojkës; Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 17 nëntorit 2007; Miratimi i Deld.aratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Lidhur me juridiksionin e gjykatës për të dhënë mendim këshillimor: Neni 65/1 i statutit të gjykatës; Neni 96/1 i Kartës së OKB-së; Kompetenca e Asamblesë së Përgjithshme për të kërkuar mendim këshillimor; Nenet 10 dhe 11 të Kartës; Kundërshtimi se Asambleja e Përgjithshme veproi jashtë kompetencës së saj, sipas Kartës; Neni 12/1 i Kartës; Autorizimi për të kërkuar mendirn këshillimor nuk kufizohet nga neni 12.

Kërkesa që pyetja e shtruar para gjykatës duhet të jetë ”çështje juridike (ligjore)”; Pretendimi se Deklarata e Pavarësisë është bërë në bazë të së drejtës së brendshme kushtetuese; gjykata mund t’i përgjigjet pyetjes duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare, pa qenë nevoja t’i referohet së drejtës së brendshme; Fakti që pyetja ka edhe aspekte politike, nuk e mohon karakterin e saj si një çështje juridike; Gjykatës nuk i interesojnë motivet politike që mund të qëndrojnë pas kërkesës së paraqitur, si dhe pasojat politike që mund të këtë mendimi i saj konsultativ.

Lidhur me diskrecionin e gjykatës për të vendosur nëse do të japë mendim konsultativ ose jo:

Integriteti i funksionit gjyqësor të gjykatës; Vetëm ”arsyet e forta” mund ta shtyjnë gjykatën të shmanget nga ushtrimi i funksionit të saj gjyqësor; Motivet e shteteve të veçanta që mbështesin një rezolutë që kërkon dhënien e një mendimi konsultativ, nuk kanë rëndësi në ushtrimin e së drejtës së diskrecionit nga gjykata; Mundësia e organit kërkues për të vlerësuar qëllimin, dobinë dhe pasojat juridike të mendimit këshillimor.

Kufiri ndërmjet kompetencave respektive të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme; Natyra e angazhimit të Këshillit të Sigurimit në Kosovë; Neni 12 i Kartës së OKB-së nuk e pengon në çdo rast veprimin e Asamblesë së Përgjithshme për çështje të kërcënimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, pavarësisht se me këtë problem është duke u marrë Këshilli i Sigurimit; Asambleja e Përgjithshme ka ndërmarrë një veprim konkret lidhur me situatën në Kosovë;

Nuk ka arsye që gjykata të shfrytëzojë diskrecionin për të mos dhënë mendim këshillimor.

Lidhur me pyetjen kryesore nëse Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare:

Sipas praktikës së shteteve, nuk ka një ndalim të përgjithshëm për të shpallur pavarësinë; Pretendimi se ndalimi i deklarimit të njëanshëm të pavarësisë nënkuptohet vetiu, në kuadër të parimit të integritetit territorial; Hapësira e parimit të integritetit territorial shtrihet vetëm në marrëdhëniet mes shteteve; Nga praktika e Këshillit të Sigurimit nuk rezulton të këtë një ndalim të përgjithshëm për deklarimin e pavarësisë; Çështjet që kanë të bëjnë me shtrirjen e së drejtës për vetëvendosje dhe ekzistencën e një të drejte ”për shkëputje përfundimtare” janë jashtë hapësirës së pyetjes së shtruar para gjykatës nga Asambleja e Përgjithshme;

E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk ka ndonjë dispozitë që ndalon deklarimin e pavarësisë; Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008, nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit dhe Komiza Kushtetuese; Rezoluta 1244 (1999) vendos detyrime juridike ndërkombëtare dhe është pjesë e së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme; Komiza Kushtetuese ka karakter juridik ndërkombëtar; Korniza Kushtetuese është pjesë e rendit juridik të veçantë, të krijuar në bazë të Rezolutës 1244 (1999); Korniza Kushtetuese rregullon çështjet që i përkasin së drejtës së brendshme; Kompetencat mbikëqyrëse të Përfaqësuesit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së; Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit dhe Komiza Kushtetuese ishin në fuqi dhe zbatoheshin edhe më 17 shkurt 2008; Asnjëra nuk ka ndonjë dispozitë që të përcaktojë afatin e mbarimit të veprimit apo zëvendësimit të tyre; Përfaqësuesi i Veçantë i Sekretarit të Përgjithshëm vazhdon të ushtrojë funksionet e tij në Kosovë.

Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit dhe Korniza Kushtetuese formojnë pjesë të së drejtës ndërkombëtare, që duhet të merret parasysh në përgjigjen e pyetjes së shtruar përpara gjykatës.

Interpretimi i rezolutave të Këshillit të Sigurimit; Rezoluta 1244 (1999) krijon një prani civile ndërkombëtare në Kosovë; Pezullimi i ushtrimit të autoritetit të Serbisë në territorin e Kosovës; Rezoluta 1244 (1999) krijon një regjim të përkohshëm; Objekti dhe qëllimi i Rezolutës 1244 (1999).

Identiteti i autorëve të Deklarimit të Pavarësisë; A ishte Deklarata e Pavarësisë një akt i Kuvendit të Kosovës?; Autorët e Deklaratës nuk vepruan në kuadër të institucioneve të pavarura vetëqeverisëse; Autorët u angazhuan në plotësimin e angazhimeve ndërkombëtare të Kosovës; në tekstin origjinal në gjuhën shqipe nuk konstatohet se deklarata është ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës si institucion; Autorët e Deklaratës së Pavarësisë vepruan së bashku në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës, jashtë kuadrit të administratës së përkohshme.

A vepruan autorët e Deklaratës së Pavarësisë në kundërshtim me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit; Rezoluta 1244 (1999) u adresohet shteteve anëtare të OKB-së, si dhe organeve të OKB-së; Nuk ka një detyrim specifik të saj për aktorë të tjerë; Rezoluta nuk ka ndonjë dispozitë që merret me statusin përfundimtar të Kosovës; Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes të drejtën për të zgjidhur përfundimisht situatën në Kosovë; Rezoluta 1244 (1999) nuk i ndalon autorët e Deklaratës së 17 shkurtit që të shpallin pavarësinë; Deklarata e Pavarësisë nuk cenon Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit.

Deklarata e Pavarësisë nuk është shpallur nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse; Deklarata e Pavarësisë nuk cenon Kornizën Kushtetuese.

Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Koment: Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës është i një rëndësie tepër të veçantë si në planin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Ai mbyll përfundimisht çështjen e legjitimitetit të Deklaratës së Pavarësisë në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare, si dhe i hap rrugë njohjeve të reja të shtetit të Kosovës dhe konsolidimit e forcimit të mëtejshëm të tij si një shtet i pavarur e sovran.

Në fakt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së filloi të merret seriozisht me çështjen e Kosovës që në vitin 1998. Në rezolutat 1160 dhe 1199 të këtij viti u kërkohet autoriteteve serbe të ndërpresin dhunën dhe të fillojnë dialogun me shqiptarët. Për më tepër, në rezolutën e dytë theksohet si e domosdoshme edhe prania e një pale të tretë në këto bisedime, si garanci për një zgjidhje të qenësishme dhe afatgjatë. Në janar 1999 kemi masakrën e Raçakut dhe dënimin e kësaj ngjarjeje të rëndë nga Këshilli i Sigurimit dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Tashmë ishte bërë e qartë që çështja e Kosovës duhej marrë më seriozisht. Presioni ndaj Beogradit duhej të ishte më i madh dhe më konkret. Në këto rrethana zhvillohen bisedimet e Rambujesë, ku shqiptarëve të Kosovës u premtohet autonomi e përkohshme substanciale, me karakteristikat e një shteti të pavarur. Por edhe këto bisedime dështuan për fajin e palës serbe dhe, në vijim, kemi sulmet ajrore të NATO-s në emër të ndërhyrjes ndërkombëtare humanitare (fillojnë më 24 mars 1999). Në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare, në këtë periudhë (26 mars 1999) paraqet interes rrëzimi i projektrezolutës së propozuar nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, përmes së cilës kërkohej ndërprerja dhe dënimi i sulmeve të NATO-s, si dhe rrëzimi i kërkesës serbe në GJND për marrjen e masës provizore ”ndalimin e menjëhershëm” të këtyre sulmeve (vendimi GJND-së i 2 qershorit 1999). Në përfundim të sulmeve ajrore të NATO-s që zgjatën për 78 ditë me radhë, kemi miratimin e Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, që synonte ”zgjidhjen e situatës së rëndë humanitare dhe përfundimin e konfliktit të armatosur…” Për këtë qëllim, si një nga masat kryesore, parashikohej krijimi i administratës së përkohshme në Kosovë. Sipas kësaj Rezolute, statusi i ndërmjetëm do të lehtësonte në perspektivë ”një proces politik që do i kushtohej përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës”. Për këtë qëllim nuk përcaktohej afat, por që sigurisht nënkuptonte arritjen e marrëveshjes mes palëve të interesuara, asaj shqiptare dhe serbe. Ky proces do të fillonte në vitin 2005 me angazhimin e personalitetit të shquar, ish-kryeministrit finlandez Marti Ahtisari, i thirrur të vepronte për këtë qëllim në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ai bëri një punë mjaft të lavdërueshme, zhvilloi takime të shumta dhe angazhoi specialistë e diplomatë me zë, por, për shkak të kundërshtive serbe dhe më pas edhe reagimit të pritshëm negativ të Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, në vitin 2007 do të hiqej dorë nga ky proces politik. Trojka e BE-së do të përpiqej në vijim të gjente ndonjë zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje, por pa sukses. Në këto kushte, natyrshëm procesi politik do të ndiqte rrjedhën e tij normale që, në rastin konkret, do të thoshte realizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe vendore në Kosovë në nëntor të vitit 2007 e më pas, më 17 shkurt 2008, do të vinte shpallja zyrtare e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Në këto kushte pala serbe rindërton planin e vet diplomatik, që këtë radhë drejtohet drejtpërsëdrejti kundër Deklaratës së Pavarësisë, e bindur apo e këshilluar se ajo ishte në kundërshtim me parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. E për këtë qëllim arrin të sigurojë shumicën e kërkuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në mënyrë që kjo e fundit të miratonte një rezolutë të veçantë, përmes së cilës, në bazë të nenit 96 të Kartës, t’i kërkonte mendim këshillimor GJND-së, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte ose jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por, siç dihet tashmë, i gjithë ky aksion i Qeverisë Serbe do të dështonte, duke u kthyer praktikisht në një bumerang për të.

Në fakt, mendimi këshillimor i GJND-së paraqitet si mjaft i plotë, i argumentuar qartë dhe si i tillë mjaft bindës, pavarësisht rezervave, pakënaqësive apo vërejtjeve që është normale të shprehen në raste të tilla mjaft të ndjeshme, gjatë periudhës në vijim.

Që në fillim gjykata tregohet mjaft e kujdesshme të justifikojë juridiksionin dhe diskrecionin e saj për t’u marrë me pyetjen e shtruar nga Asambleja e Përgjithshme. Ajo thekson qartë që pavarësisht se pyetja mund të këtë edhe aspekte, motive apo interesa politikë, për të ka rëndësi karakteri ligjor i saj në këndvështrim të nenit 96 të Kartës së OKB-së dhe nenit 65 të Statutit të saj. Po në këtë kuadër, ajo thekson se nuk i interesojnë, gjithashtu, edhe pasojat e mendimit këshillimor. Sipas saj, këto probleme, si dhe dobishmëria e vendimit të saj i takojnë të vlerësohen nga vetë organi që bën pyetjen, pra nga Asambleja e Përgjithshme. Për këtë çështje kanë rëndësi edhe argumentet që jepen për të drejtën e Asamblesë së Përgjithshme për t’i bërë pyetje, pavarësisht se me çështjen e Kosovës në tërësi ishte angazhuar edhe Këshilli i Sigurimit. Po kështu, mjaft interes kanë edhe argumentet për të mos hequr dorë nga dhënia e mendimit këshillimor, kërkuar kjo nga mjaft shtete, pasi, sipas saj, nuk ka ”arsye të forta” për ta bërë një gjë të tillë e, për pasojë, ”nuk ka edhe elemente që do të mund të vinin në dyshim integritetin e funksionit të saj gjyqësor”.

Argumentet mbi thelbin e çështjes fillojnë me vëzhgimin e përgjithshëm e interesant se e drejta ndërkombëtare që nga gjysma e dytë e shekullit 20 është zhvilluar në mënyrë të tillë që t’u japë mundësi popujve të shpallin pavarësinë në rastet kur nuk janë qeverisur vetë ose kanë qenë nën sundimin, zgjedhën apo shfrytëzimin e huaj.

Në këtë kuadër, duke iu përgjigjur pretendimeve të disa shteteve dhe duke evidentuar për këtë qëllim mjaft akte ndërkombëtare, ajo thekson se shpallja e pavarësisë nuk cenon dhe nuk mund të cenojë parimin e integritetit territorial, pasi ky parim ”vepron qartazi vetëm në marrëdhëniet mes shteteve” të pavarura dhe jo ndërmjet shtetit dhe entiteteve territoriale apo grupeve të caktuara të popullsisë brenda tij.

Gjykata argumenton mjaft mirë më pas edhe pretendimet e disa shteteve që evidentonin disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit, përmes të cilave nuk ishte njohur e, për më tepër, dënuar shpallja e njëanshme e pavarësisë (Afrika Jugut, Qipro Veriore, Republika Sërbska etj.). Ajo thotë se në rastet e mësipërme nga Këshilli i Sigurimit ishte vlerësuar situata konkrete, prandaj edhe mosmiratimi i tyre nuk është bërë për shkak të karakterit të njëanshëm, por për shkak të përdorimit të paligjshëm të forcës ose për shkak të shkeljes së rëndë të normave të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të detyrimeve me karakter ius cogens. Sipas gjykatës, në rastin e Kosovës, Këshilli i Sigurimit nuk kishte mbajtur asnjëherë këtë qëndrim. Të gjitha rezolutat e miratuara nga ky organ i OKB-së për Kosovën, në asnjë rast nuk përmendin ndalimin e deklarimit të njëanshëm të pavarësisë.

Në mendimin këshillimor përmenden në vijim edhe pretendimet e disa shteteve mbi kufijtë e së drejtës së vetëvendosjes, duke vënë në dyshim mundësinë e shkëputjes përfundimtare. Gjykata vlerëson se nuk duhet të ndalet në këto pretendime, pasi ato dalin qartësisht jashtë kuadrit të pyetjes së shtruar para saj nga Asambleja e Përgjithshme.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata arrin lehtësisht në përfundimin se normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare nuk përmbajnë ndonjë ndalim konkret për deklarimin e pavarësisë.

Pasi arrin këtë konkluzion të rëndësishëm, Gjykatës i duhet të vlerësojë nëse Deklarata e Pavarësisë shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, përmes së cilës vendosen një sërë detyrimesh juridike ndërkombëtare. Në këtë kuadër ajo analizon veçanërisht detyrimet lidhur me institucionet e përkohshme vetëqeverisëse. Për këtë qëllim gjykatës i duhet të evidentojë fillimisht se edhe Korniza Kushtetuese, që buron nga Rezoluta 1244, pavarësisht se merret me çështje që i përkasin normalisht së drejtës së brendshme, ka karakter ndërkombëtar. Prandaj, sipas saj, në përgjigjen që duhet të jepet ndaj pyetjes së Asamblesë së Përgjithshme, duhet pasur parasysh se Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese formojnë pjesë të detyrimeve ndërkombëtare që duhet të merren në konsideratë në mendimin këshillimor.

Për sa i përket Rezolutës 1244, vihet në dukje se ajo krijon në realitet një regjim juridik të veçantë e të përkohshëm, duke zëvendësuar regjimin juridik serb, me synimin kryesor stabilizimin e situatës në Kosovë. Në këtë kuadër gjykata natyrshëm vlerëson nëse kjo Rezolutë e ndalon shpalljen e pavarësisë. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, GJND-ja me mjaft saktësi e shkathtësi merret me identifikimin e autorëve të Deklaratës së Pavarësisë, për të përcaktuar nëse ajo është bërë nga Kuvendi i Kosovës si institucion apo nga persona me cilësi tjetër. Pasi bën këtë analizë, ajo arrin në përfundimin se Deklarata e Pavarësisë nuk është bërë në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse brenda Kornizës Kushtetuese, por nga persona që së bashku kanë vepruar me cilësinë si përfaqësues të popullit. Pra kanë vepruar si një kolektiv individësh ad hoc. Mbi këtë bazë ajo vlerëson, gjithashtu, nëse këta persona kanë vepruar në kundërshtim me urdhërimet e Rezolutës 1244. Për këtë qëllim vihet në dukje se nuk rezulton që Këshilli i Sigurimit t’ia këtë rezervuar vetes të drejtën për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës. Prandaj gjykata arrin në konkluzionin se Rezoluta 1244 nuk pengon shpalljen e pavarësisë. Sipas gjykatës, qëllimi kryesor i kësaj Rezolute ishte krijimi i Administratës së Përkohshme në Kosovë, duke mos marrë asnjë angazhim konkret për çështjen e statusit përfundimtar të saj. Sigurisht që në kuadër të këtij përfundimi, gjykatës i duhet të sqarojë edhe kuptimin e shprehjes ”zgjidhje politike”, evidentuar gjatë procesit gjyqësor nga disa shtete. Edhe lidhur me këtë çështje, në mendimin këshillimor theksohet se shprehja ”zgjidhje politike” në Rezolutën 1244 është vënë në kuadër të përcaktimit të detyrimeve të Pranisë Civile Ndërkombëtare, veçanërisht për Përfaqësuesin e Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë e për UNMIK-un dhe jo për aktorë të tjerë. Prandaj, gjykata thekson edhe njëherë qartësisht se Deklarata e Pavarësisë nuk bie në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Siç shihet dhe nga vendimi, gjykata ndalet shkurtimisht në çështjen nëse Deklarata e Pavarësisë është në kundërshtim me Kornizën Kushtetuese. Për këtë analizë atë e ndihmojnë konkluzionet e arritura më herët, mes të cilave rëndësi ka evidentimi i faktit se Deklarata e Pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse e, për rrjedhojë, autorët e kësaj deklarate nuk kanë qenë të lidhur me këto institucione.

Për sa më sipër, GJND-ja arrin në përfundimin se Deklarata e Pavarësisë nuk cenon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Nga një vëzhgim i përgjithshëm që mund t’i bëhet mendimit këshillimor të GJND-së, mund të konstatohet lehtësisht me kënaqësi se qëndrimet që ajo ka mbajtur përkojnë dukshëm e në një masë të konsiderueshme me qëndrimet e mbajtura nga përfaqësuesit e palës shqiptare në këtë proces. Prof. Frowein, në mendimin me shkrim, por edhe në fjalën e mbajtur në seancën gojore, ka theksuar me forcë, ndër të tjera, se Deklarata e Pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme, por është thjesht një ”Pouvoir constituent” i popullit të Kosovës. Duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes së bërë nga Asambleja e Përgjithshme, ai vuri në dukje se e drejta ndërkombëtare, që nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së e deri në deklaratat pavarësisë në kontekstin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, nuk ka asnjë dispozitë që të ndalojë deklarimin e pavarësisë së shteteve. U vu në dukje, me këtë rast, se një deklaratë e tillë mund të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare vetëm në dy raste : a) nëse vinte si rezultat i një intervencioni ilegal, siç është rasti i Qipros Veriore dhe b) nëse shkeleshin normat ius cogens të së drejtës ndërkombëtare. Nga qëndrimi i palës shqiptare mund të veçohen, gjithashtu, edhe deklarimi i qartë që integriteti territorial i një shteti nuk ka aspak lidhje me deklaratën e pavarësisë, ashtu siç ka ndodhur dhe në rastin konkret me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008; se Rezoluta 1244 (1999) nuk përjashton deklarimin e pavarësisë etj. Vlerësim i ndryshëm në qëndrimin zyrtar të Shqipërisë është vetëm çështja e juridiksionit të GJND-së. Pala shqiptare mendoi se me të drejtë mbajti qëndrimin se mendimi këshillimor mund të mos jepej në këtë rast, pasi nuk mund të ishte i dobishëm (useful), përderisa pala serbe përpiqej ta shfrytëzonte sa më shumë politikisht atë dhe përderisa kishte tashmë 63 shtete anëtare të OKB-së, mes të cilave shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-së, të cilat e kishin njohur tashmë shtetin e ri të Kosovës. Prandaj, ”kthimi i orës prapa” do të ishte jo vetëm pa kuptim, por praktikisht edhe i pamundur…

Mendimi konsultativ i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pa dyshim që në tërësinë e tij ka pasur një impakt pozitiv për çështjen e Kosovës në tërësi. Përsërisim se ai do t’i shërbejë njohjeve të reja, si dhe konsolidimit e forcimit të këtij shteti të ri në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Është fakt tashmë se afrimi dhe vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, veçanërisht e SHBA-së dhe Bashkimit Europian, kanë marrë një dimension të ri, pavarësisht se pesë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, konkretisht Greqia, Qipro, Rumania, Spanja dhe Sllovakia, ende hezitojnë njohjen e saj. Megjithatë, perspektiva europiane e Kosovës as që mund të vihet në diskutim, pavarësisht se ky nuk është një proces që vetëkuptohet e që vjen natyrshëm. Në të kundërt, ai kërkon angazhim serioz dhe realizimin e një sërë detyrave dhe standardeve të rëndësishme në planin e brendshëm. Mund të thuhet, gjithashtu, se normalisht duhet të këtë ndryshim edhe të politikës serbe ndaj Kosovës. Qëndrimet refraktare ndaj bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, kundërshtitë destruktive të Qeverisë Koshtunica, vendosja e sanksioneve dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që do të njihnin Kosovën, zhurma dhe presioni i pakuptimte në Këshillin e Sigurimit dhe në GJND e të tjerë, nuk kanë dhënë në asnjë rast rezultatet që ato kanë pritur. Tashmë duhet kuptuar qartë prej tyre se nuk mund të këtë një status quo ante. Kosova nuk mund të kthehet kurrë më nën pushtetin e Serbisë.

Marrë nga : “Jurisprudencë dhe praktikë ndërkombëtare” Xhezair ZAGANJORI

 

Advertisements