FigurëSipas përcaktimeve te bëra nga Kodi Civil i RSh ne nenin 360 përcakton si trashëgimtare ligjore : “fëmijët, fëmijët e fëmijve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në këtë Kod”

Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.
Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.
Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit.
Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.

Sipas neni 362 “Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.

Sipas nenit 363, në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.

Sipas nenit 364, në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit që përmenden në nenin 363 të këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a babës ose e nënës.

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë.

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën e gjashtë, thirret në trashëgim shteti.

Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e trashëgimlënësit tej vleftës së pasurisë të fituar.

Punoi: Av. Mentor Bimi

Advertisements