Nëse i referohemi kontekstit historik të zhvillimit të parimit të përgjegjësisë së administratës publike, ne Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të vitit 1976 theksohet ndër të tjera, në nenin 59: “shtetasit, sipas kushteve të caktuara me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtim nga shteti  ose nga  nënpunësit  e  tij  për  dëmet  që u  shkaktohen nga  veprimet  e paligjshme të organeve shtetërore dhe të nëpunësve gjatë ushtrimit të detyrës”.

Në legjislacionin aktual,  për sa i përket përgjegjësisë së administratës shtetërore, do vëmë re se ajo qëndron si një nga parimet bazë në ushtrimin e funksionit publik gjatë veprimtarisë së administratës. Përgjegjësia e administratës publike, është një parim që rrjedh drejtpërsëdrejti nga neni 44 i Kushtetutës aktuale, ku sanksionohet: “kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore”. Nëse nisemi të bëjmë një krahasim teorik mes këtyre dy përkufizimeve kushtetuese, për sa i përket përgjegjësisë së A.P dhe nëpunësve të saj, vëmë re në pamje të parë se, ato kanë ngjashmëri jo të vogël, duke qënë se e gëzojnë të gjithë individët (shtetasit), dhe kusht për të kërkuar vendosjen para përgjegjësisë, janë dëmet e ardhura nga veprimet e paligjshme të A.P.  Por në një interpretim më të zgjeruar do vëmë re se Kushtetuta e 1998, i jep këtij parimi kushtetues, një fushë më të gjerë veprimi, duke parashikuar që vënia para përgjegjësisë e administratës publike ose nëpunësve të saj, nuk vjen vetëm për veprimet, por edhe për mosveprimet e paligjshme. Gjithashtu individi nuk kufizohet vetëm në kërkesën për zhdëmtim të dëmit të shkaktuar, por ka të drejtë, sipas rastit dhe mënyrës së parashikuar në ligj, që të rehabilitohet.

Në bazë të këtij parimi kushtetues dhe evoluimit të legjislacionit Kodi i Proçedurës Administrative ka tentuar që të parashikojë të gjitha format e mundshme të abuzimit, nga ana e administratës, duke filluar nga marrja e vendimeve të paligjshme, refuzimit të paligjshëm në dhënien e vendimeve dhe dhënien e informacioneve shkresore të pasakta[1]. Në Kodin e Proçedurës Administrative është vendosur si një risi rasti i përgjegjësisë për refuzimin për të marrë vendime dhe dhënies së informacioneve të pasakta[2].

Po në unison me këtë hapje dhe zgjerim të rrezes së veprimit të përgjegjësisë së administratës ndaj privatëve, vjen ligji nr. 8510, datë 15.7.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore” ku organet e administratës shtetërore përgjigjen për demet që u shkaktojnë personave fizikë a juridikë privatë, në rastet që vijojnë:

–         kur kryejnë veprime a mosveprime te kundërligjshme;

–         kur kryejnë veprime a mosveprime të ligjshme, por që sjellin dëmtimin e interesave të ligjshme të personave fizikë a juridikë privatë;

–     kur, megjithëse kryejnë veprime a mosveprime të ligjshme, u shkaktojnë një  dëm të pabarabartë subjekteve të cilëve u drejtohet ky veprim a mosveprim;

–    kur, për shkak të mosfunksionimit të mjeteve teknike me të cilat organet e administratës shtetërore ushtrojnë veprimtarinë e tyre, persona fizikë a juridikë privatë cënohen në interesat e tyre të ligjshme;

–      kur u shkaktojnë një rrezik të vazhdueshëm personave fizikë a juridikë privatë;

–      kur kryejnë një akt korruptiv gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

Pra si përfundim mund të themi që administrata publike mban përgjegjësi në rastet kur i shkakton një dëm, gjatë manifestimit të autoritetit publik, pasurisë, të drejtave ose interesave të ligjshme të personave privatë; dhe demi mund të vijë si nga sjelljet e kundraligjshme ashtu dhe nga ato të ligjshme të administratës publike.

Duke qenë se përgjegjësia kontraktore ose jashtëkontraktore gjen rregullim specifik edhe në Kodin Civil, nuk mund të lëmë jashtë këtij trajtimi referencat që do gjejmë në këtë Kod. Konkretisht në nenin 618/2 parashikohet: “personi juridik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga organet e tij në kryerjen e detyrave të tyre”, referim do të bëjmë edhe në nenin 625[3].

Punoi. Av. Mentor Bimi


[1] Në nenin 14 të Kodit të Procedurës Penale, është sanksionuar, parimi i përgjegjshmërisë, ku theksohet se: “Organet e administratës publike dhe punonjësit e tyre mbajnë përgjegjësi për dëmet që iu shkaktojnë personave privatë nëpërmjet:- marrjes së vendimeve të paligjshme;- refuzimit të paligjshëm për të marrë vendime;- dhënies së informacioneve shkresore të pasakta për personat privatë, si për çdo shkak apo rast tjetër të parashikuar me ligj”.
[2] Insituti i Studimeve Publike & Ligjore, “Komentar i Kodit te Procedurave Administrative”, Botimet “Toena”, Tirane, 2004, fq 41
[3] Personi që pëson një dëm, të ndryshëm nga ai pasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet kur:a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit ose është cenuar në nderin e personalitetit të tij;b) është fyer kujtimi i një të vdekuri dhe kërkohet nga bashkëshorti me të cilin ka bashkëjetuar deri në ditën e vdekjes ose nga të afërmit e tij deri në shkallën e dytë, përveç kur fyerja është kryer kur i vdekuri ka qenë gjallë dhe i është njohur e drejta e shpërblimit të dëmit për fyerjen e bërë. E drejta e parashikuar në paragrafin e mësipërm është e patrashëgueshme.
Advertisements