Demokracia karakterizohet nga dalja e pushtetit nga populli. Pra populli vendos. Tingëllon thjesht por mesa duket jo në praktikë?

Çfarë është demokracia ?

Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje të rëndësishme, marrim si shembull një bashkësi njerëzore. Njëra nga këto bashkësi, e njohur për ne të gjithë, është familja. Ajo përbëhet nga babai, nëna dhe fëmijët. Një familje e tillë banon bashkë, ushqehet bashkë, jeton bashkë. Prandaj lindin edhe probleme të njohura për ne: Kush do t’i derdhë plehërat, çfarë programi do të shihet në televizor, kush vendos se çfarë do te ndodhë.

Ekzistojnë dy mundësi. Njëra është kur vendos një njeri, në rastet kur ai mund t’i kundërshtojë pjesëtarët e tjerë të familjes, p.sh. ai që mban në dorë telekomandën, vendos se çfarë programi do të shihet në televizor. Ekzistojnë edhe mënyra të tjera. Mund të vendosin të gjithë së bashku. Në rastin tonë, kjo do të thotë marrëveshje mes pjesëtarëve të familjes për programin që do të shikohet. Personi që ka telekomandën në dorë, vendos programin e zgjedhur nga të gjithë bashkë.

Në mënyrë të ngjashme me familjen tonë të vogël, edhe në bashkësitë më të mëdha, siç janë p.sh. banorët e një shteti, lindin probleme gjatë bashkëjetesës. Edhe këtu duhen marrë vendime. Në këtë rast nuk bëhet fjalë më për programin televiziv, por për programin e një shteti, pra për gjërat që do të ndodhin në të.

Kur flasim për demokraci duhet te kemi parasysh dhe zgjedhjet, në shembullin tonë kjo i përshtatet procesit, në të cilin familja vendos se kush do ta mbajë telekomandën dhe çfarë programi do të shihet.

Kjo është pikërisht e rëndësishme, sepse në popullsi ekzistojnë interesa të ngjashme me ato të familjes sonë. Në kushte të zakonshme nuk kanë të gjithë të njëjtin mendim. Në këtë rast është e domosdoshme gjetja e rrugës për zgjidhje pa dhunë të konfliktit të interesave.

Një procedurë e tillë është demokracia me zgjedhje të rregullta dhe me vendim të shumicës. Përfaqësuesit e zgjedhur marrin vendime, të cilat më pas vlejnë për të gjithë, pra edhe për pakicën e mundur në zgjedhje apo votim. Me fjalë të tjera, ata zgjedhin programin që do të shihet më pas nga të gjithë.

Një veçanti e rëndësishme e demokracisë është zotërimi nga secili i një baterie të telekomandës. Në realitet kjo bateri përkon me votën që mund të jepet në zgjedhje.

Me dhënien e votës një kandidati dhe/apo partie njëkohësisht merret edhe vendimi për programin, të cilin kandidati apo partia synon ta realizojë në shtet. Në këtë mënyrë, çdo votues jep mendimin e tij në lidhje me programin e ardhshëm të shtetit. Në mënyrë që ai që zgjidhet të ketë edhe mundësinë e realizimit të programit të tij, bashkë me votën, atij i jepet edhe bateria për telekomandën. I zgjedhuri fiton në këtë mënyrë të drejtën dhe mundësinë e qeverisjes së shtetit për një kohë të caktuar. Kjo legjitimohet me dhënien e baterisë, pra me zgjedhjen e popullit. Kjo nënkuptohet pra kur thuhet se në demokraci i gjithë pushteti del nga populli.

Zgjedhje do të thotë bashkëvendosje

Ai që nuk merr pjesë në zgjedhje, heq dorë nga bashkëvendosja për të ardhmen e tij. Ai duhet të pranojë vendimin e popullsisë zgjedhëse. Në këtë mënyrë ai e shpall veten të të papjekur.

Ai që synon ndryshime në shoqëri, duhet ta japë votën e tij, e madje më tepër se kaq. Nëse do që vota e tij të fitojë në zgjedhje, ai duhet të angazhohet aktivisht dhe ta përfaqësojë mendimin e tij. Sepse çdo qytetar ka mundësi ta përfaqësojë mendimin e vet, jo vetëm gjatë zgjedhjes së deputetëve, por edhe në shumë sfera të tjera të jetës së përditshme. Çdo qytetar i përgjegjshëm për demokraci i shfrytëzon mundësitë e përmendura.

Marre nga http://www.dadalos.org/

Advertisements