Kodi Penal Shqiptar, parashikon ne nenin 47 te tij se gjykata për caktimin e dënimit ndaj të pandehurit, merr parasysh kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale, rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Cilat janë ato rrethana që ndikojnë në caktimin e masës së dënimit penal ?

Rrethanat lehtësuese, ndikojnë në lehtësimin e masës së dënimit dhe në nenit 48 të Kodit Penal janë parashikuar këto rrethana lehtësuese:

a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;
b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;

c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të  udhëzimeve të padrejta të eprorit;

ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;
dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit  janë normalizuar.

Por kjo liste nuk është shteruese sepse gjykata pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48, mund të marrë në konsideratë edhe rrethanat të tjera për sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit.

Rrethanat rënduese,  janë ato rrethana që ndikojnë në rëndimin e pozitës së të pandehurit, neni 50 i K.Penal ka parashikuar në mënyrë taksative këto rrethana rënduese:

a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose  çdo lloj përfitimi tjetër material;
c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;
d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës penale;
dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;
e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzana ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;
g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të miqësisë, të mikpritjes;
gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;
h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;
i) kur vepra është kryer duke përdorur armë,  municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.
j) kryerja e veprës e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.

Gjatë gjykimit të çështjes organi i akuzës (prokuroria) ose gjykata nuk mund të marrë në konsiderate rrethana të tjera rënduese, por detyrohet vetëm të verifikoje ekzistencën e një ose më shumë rrethanave rënduese, të përmendura më lart dhe jo të krijoje rrethana të tjera, në ndryshim nga konstatimi i rrethanat lehtësuese.

PUNOI: Av. Mentor BIMI

 

Advertisements