1.  Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një Gjykatë ndërkombëtare që,  sipas disa kushteve, mund të shqyrtojë kërkesat e personave të cilët ankohen për një shkelje  të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo Konventë është një traktat ndërkombëtar nëpërmjet të cilit shumë shtete të Evropës janë angazhuar të respektojnë disa të drejta themelore të individëve. Këto të drejta janë formuluar në vetë Konventën si dhe në Protokollet Nr.1,4, 6 e 7 dhe 13, të cilat një pjesë e shteteve i kanë nënshkruar.

2.  Nëse ju e quani veten personalisht dhe drejtpërdrejt viktimë të një shkeljeje të një a më shumë të drejtave themelore nga ana e njërit prej shteteve, mund të ankoheni në Gjykatë.

3.  Gjykata trajton vetëm ankesa që kanë të bëjnë me shkelje të njërës apo disa  të drejtave të formuluara në Konventë dhe në Protokolle. Ajo nuk është një gjykatë apeli ndaj gjykatave kombëtare dhe nuk mund as të anullojë dhe as të ndryshojë gjykimet e tyre. Po ashtu, ajo nuk mund të ndërhyjë në favorin tuaj  drejtpërsëdrejti pranë autoritetit për të cilin ankoheni.

4.  Gjykata mund të shqyrtojë ankesa vetëm nëse ato drejtohen kundër njërit prej shteteve që e kanë  ratifikuar Konventën apo Protokollin në fjalë dhe nëse ato kanë të bëjnë me ngjarje më të vona se një ditë e caktuar. Kjo datë ndryshon sipas shtetit të paditur dhe sipas faktit nëse kërkesa ka të bëjë me një të drejtë të formuluar në vetë Konventën apo në një nga Protokollet.

5.  Ju mund të ankoheni në Gjykatë vetëm për aktet e një autoriteti publik (Parlament, administratë,gjykatë, etj.) të njërit prej këtyre shteteve.  Gjykata nuk mund të merret me ankesa të drejtuara kundër personave të veçantë apo institucioneve private.

6.  Sipas nenit 35§1 të Konventës, Gjykatës mund t’i drejtosh vetëm pas  shterimit paraprak të rrugëve të brendshme të rekursit dhe brenda një afati prej gjashtë muajsh duke filluar nga data e vendimit përfundimtar të rekursit. Një ankesë që nuk respekton këto kushte pranueshmërie nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata.

7.  Përpara se t’i drejtoheni Gjykatës, duhet detyrimisht të keni ndjekur në shtetin e paditur të gjitha rekurset gjyqësore që do të kishin bërë të mundur ndreqjen e situatës për të cilën Ju ankoheni; përndryshe, duhet të vërtetoni se  këto rekurse nuk kanë mundur të jenë të efektshme. Duhet në këtë mënyrë t’i drejtoheni më parë gjykatave të brendshme, duke përfshirë deri dhe juridiksionin më të lartë kompetent, përpara të cilit duhet të ngrini, të paktën në thelb, shkeljet që do të paraqisni më pas në Gjykatë.

8.  Gjatë ndjekjes së këtyre rekurseve, Ju duhet t’i jeni përmbajtur normalisht  rregullave të procedurës kombëtare, konkretisht afateve që ato parashikojnë. Nëse, për shembull rekursi juaj është hedhur poshtë si i vonuar, apo për arsye mosrespektimi nga Ju të një rregulli të kompetencës a të procedurës, Gjykata ka të ngjarë të mos e marrë në shqyrtim çështjen tuaj.

9.  Megjithatë, nëse ankoheni për një gjykim, konkretisht për një dënim, nuk është e nevojshme që, pasi të keni ndjekur rekurset e zakonshme gjyqësore,  të bëni përpjekje për të siguruar rishikimin e procesit. Nuk është e nevojshme po ashtu të keni bërë rekurse faljeje apo të kërkuar një falje apo amnisti. Nga ana tjetër, peticionet (në Parlament,  drejtuar kryetarit të shtetit apo të qeverisë, një ministri apo një avokati populli) nuk përbëjnë rekurse që duhet të ishin ndjekur nga ana juaj.

10.  Pasi autoriteti më i lartë kombëtar kompetent ka dhënë vendimin e tij, Ju dispononi një afat prej gjashtë muajsh për t’iu drejtuar Gjykatës. Ky afat fillon duke nisur nga notifikimi i vendimit përfundimtar që u është bërë Ju vetë apo avokatit tuaj, sipas rendit normal të rekurseve dhe jo duke u nisur nga refuzimi i mëvonshëm i një kërkese të  mundshme për rishikim procesi, a një kërkese për falje a për një amnisti apo i çdo lloj kërkese tjetër për falje drejtuar një autoriteti.

11.  Afati prej gjashtë muajsh ndërpritet me  letrën tuaj të parë drejtuar Gjykatës, në të cilën keni paraqitur me qartësi, qoftë edhe shkurtimisht, objektin e ankesës suaj të mundshme ose me dërgimin nga ana juaj të formularit të plotësuar të ankesës. Një kërkesë e thjeshtë nga ana juaj për udhëzime nuk mjafton për ndërprerjen e këtij afati prej gjashtë muajsh.

Marrë në faqen Zyrtare të Këshillit të Evropës

Advertisements