Palët ne procesin civil duhet të kenë legjitimimin për të parashkruar një kërkim në gjykatë ose për të kundërshtuar këtë kërkim, është e domosdoshme që ato të kenë një interes së ligjshëm.

Në bazë të nenit 32 te K.Pr.Civile ”Padia ngrihet vetëm kur personi ka interes të ligjshëm në njohjen ose rrëzimin e një pretendimi”.

Që të justifikohet ligjërisht kërkimi për njohjen ose rivendosjen e një të drejte të shkelur ose të mohuar duhet që të bëhet vetëm prej atij që i përket, sipas ligjit, e drejta e mohuar ose e shkelur prej një të treti (legjitimimi aktiv) dhe vetëm kundër atij që me faktin ose me veprën e tij mohon ose shkel të drejtën e kërkuesin (legjitimimi pasiv), duke justifikuar me këtë fakt ose veprim ndërhyrjen e gjykatës për të ndaluar ose për të zhdukur dëmin e rrjedhura nga ky fakt, ose veprim i të tretit (legitimation ad causam)[1].

Palën në çdo proces gjyqësorë kërkohet të provojë ekzistencën e tri kushteve[2]:

  • Të ketë zotësi për të qenë palë (zotësia e palës);
  • Të ketë zotësinë e kryerjes së veprimeve të caktuara (zotësia procedurale);
  • Të vërtetojë lidhjen e domosdoshme midis interesit të palës dhe çështjes konkrete (ligjshmëria e palëve).

Këto janë dhe kushtet e domosdoshme për legjitimimin aktiv ose pasiv të palëve në padinë për shpërblimin e dëmit jopasuror.

Në procesin gjyqësor për kërkimin e shpërblimit të dëmit jopasuror, si në të gjithë mosmarrëveshjet gjyqësore-civile ekzistojnë pala paditëse dhe pala e paditur, duke formuar ndërgjyqësin kur palët legjitimohet aktivisht dhe pasivisht.

1.      Legjitimimi aktiv

2.      Legjitimimi pasiv

1. Në mënyrë që pala kërkuese të legjitimohet aktivisht, do bëjmë dallim mes kërkesës për shpërblimin e dëmit ndaj shëndetit dhe atij që ka shkaktuar vdekjen.

Në rastin e dëmtimit të shëndetit, legjitimim aktiv ka vetë personi i cenuar në shëndetin e tij dhe, sipas rrethanave, edhe pjesëtarët e afërt të familjes së tij. Në rastin e shkaktimit të vdekjes nga fakti i paligjshëm, kanë legjitimim aktiv për kërkimin e dëmshpërblimit të dëmit pasuror e jopasuror të pësuar pjesëtarët e familjes së viktimës. Në të dy rastet, legjitimim aktiv gëzon edhe personi që pretendon se bashkëjetonte me viktimën pa lidhur martesë me të (more uxorio) dhe, në rrethana përjashtimore, edhe persona të tjerë në lidhjen më të afërt të gjinisë a krushqisë me viktimën[3]. Në këtë mënyre rrethi subjekteve që legjitimohet aktivisht për të kërkuar shpërblimin e dëmit në rastin e vdekjes është më i gjerë sesa tek dëmtimi i shëndetit[4].

Çdo subjekt i cenuar në të drejta dhe interesa të ligjshme personale e pasurore nga fakti i paligjshëm, edhe nëse nuk është ai vetë subjekti pasiv i atij fakti, ka të drejtën subjektive, legjitimimin aktiv për të kërkuar (ius proprius) dëmshpërblimin e dëmit pasuror e jopasuror të pësuar. Ky legjitimim aktiv, në parim, nuk kushtëzohet me gëzimin e cilësisë së trashëgimtarit të një personi të dëmtuar, por vetëm me cilësinë e vetë paditësit si i dëmtuar, nga fakti i paligjshëm.

2. Pala ndaj të cilit drejtohet kërkesa për shpërblimin e dëmit, legjitimohet pasivisht, nenit 608 të Kodit Civil, parashikon që “Personi që në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin dhe pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar”. Kjo dispozitë parashikon faktin juridik njerëzor të sjelljes së paligjshme dhe me faj të një personi që i shkakton dëm një personi tjetër. Nëse vërtetohet fakti i paligjshëm dhe lidhja shkakësore e tij me dëmin, lind marrëdhënia e detyrimit, e drejta subjektive e personit të dëmtuar për të kërkuar dëmshpërblim dhe detyrimi i personit përgjegjës për ta shlyer atë. Në interpretim të kësaj dispozite, me shkaktim të dëmit “në personin ose në pasurinë” e të dëmtuarit kuptohet jo vetëm lidhja ndërmjet tij dhe dëmit, por edhe dallimi ndërmjet cenimeve të natyrës pasurore dhe atyre jopasurore në të drejta dhe interesa të ligjshme të të dëmtuarit.

Në ligji Nr. 10076, datë 12.2.2009  “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” në nenin 11 parashikon që “pala e dëmtuar, bazuar në sigurimin, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi, përgjegjës i pronarit të mjetit, me të cilin është shkaktuar aksidenti” në këtë mënyrë pala që legjitimohet pasivisht për zhdëmtimin të dëmit (pasuror ose jopasurore) është kompania e sigurimit, që ka lidhur kontrate e sigurimit të mjetit, personi që ka shkaktuar dëm. Ndërsa në rastet kur shoqëria e sigurimit ndërpret veprimtarinë, bazuar në një vendim ligjor të vlefshëm, pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te Byroja Shqiptare e Sigurimit.  Pala e dëmtuar, së cilës i është shkaktuar dëmi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një mjet motorik, pronari i të cilit nuk është i mbuluar nga sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë, ka të drejtë të kërkojë kompensimin e dëmit nga byroja.

Objekti i kërkesës

Pala e dëmtuar nga fakti i paligjshëm në varësi të dëmit të ardhur, ka të drejtë që të kërkojë në rastin e dëmtimit të shëndetit, shpërblimin e dëmin, duke pasur parasysh humbjen ose pakësimin e aftësisë për punë, shpenzimet që janë bërë për mjekimin e tij, si dhe shpenzime të tjera që kanë lidhje me dëmin e shkaktuar[5].

Kur është shkaktuar vdekja e një personi, objekti i kërkesës përfshin :

a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit;

b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit. Personi që ka shkaktuar dëmin mund të kundrejtojë të njëjtat mjete mbrojtëse që do t’i kundrejtonte të vdekurit. Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, mund të vendosë që shpërblimi të jepet në natyrë, ose në para, njëherësh ose me këste[6].

Gjykata e Lartë në Vendimin Unifikues Nr.12, datë 14.9.2007, ka parashikuar që dhe në rastin kur është shkaktuar vdekja e një të mituri anëtarët pasjetues të familjes, në lidhje të afërt dhe të qëndrueshme me të ndjerin e mitur që ka humbur jetën për shkak të një fakti të paligjshëm, kanë të drejtën e dëmshpërblimit në lidhje me dëmin pasuror të pësuar në formën e fitimit të munguar, si një pamundësi për të përfituar, në rrjedhën normale të jetës, solidaritetin dhe kontributin reciprok të të ndjerit të mitur, jo vetëm si përkujdesje në tërësi, por edhe si mbështetje ekonomike e tij për familjen në të ardhmen. Për efekt të legjitimimit aktiv për kërkimin e dëmshpërblimit nuk ka rëndësi rrethana që në kohën e vdekjes së të miturit, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes gëzojnë ose jo të ardhura të mjaftueshme për ushqim dhe jetesë.

Dëmshpërblimi i kërkuar sipas nenit 643/a të Kodit Civil është dëm pasuror në formën e fitimit të munguar, pasi të ketë vërtetuar lidhjen shkakësore materiale mes sjelljes së paligjshme me faj të shkaktuesit të dëmit dhe pasojës së dëmshme, paditësit familjarë të viktimës kanë barrën e provës të vërtetojnë me prova pozitive mundësitë konkrete, efektive, të kontributit ekonomik të viktimës në të ardhmen që s’mund të realizohet më si rrjedhojë e faktit të paligjshëm (quantum debeatur). Gjykata i çmon këto pretendime në funksion të përcaktimit të llojit konkret të dëmit e të vlerës së tij, sipas parimit të rregullshmërisë dhe efiçencës shkakësore juridike.

PUNOI : Av. Mentor BIMI


[1] Av. Dashamir Kore, Dr. Gjergji Sauli, Dr. Tefta Zaka, Disa trajtime teorike dhe praktike mbi procesin civil, Elite, Tirane, 2001 fq. 22
[2] Alessandro Simome, Sokol Sadushi, Sokol Çomo, Vështrim Krahasues mbi Procedurën Civile, Shkolla e Magjistraturës, Tirane 2006, fq. 120
[3] Vendimi Unifikues i GJL, cituar më lart
[4] Vendimi Unifikues i GJL, cituar më lart
[5] Neni 641 I Kodit Civil të RSH

[6] Neni 643 i Kodit Civil të RSH

About these ads