Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenit 42[1]dhe KEDNJ në nenin 6, kanë sanksionuar të drejtën e individit për një proces të rregullt ligjor. E drejta per nje proces të rregullt ligjor në dispozitat kushtetuese, grupohet në katalogun e lirive dhe të drejtave vetjake.

Në kuadrin e të drejtes për një proces të rregullt ligjor, që përfshin dhe e drejta për t’iu drejtuar gjykatës (aksesit ne gjykatë) e cila konsiderohet si një e drejtë thelbësorë që duhet t’i sigurohet cdo individi pa të cilën të drejtat e tjera nuk do kishin vlerë. Nëse nuk garantohet e drejta për t’iu drëejtuar gjykatë atëhere cënohet dhe e drejta për të ngritur pretendime civile, apo për të kundërshtuar akuzën penale para një gjykate.

Procesi i rregullt ligjor konsiderohet si e vetmja e drejtë kushtetuese, shkelja e së cilës përbën shkak ligjor që individët të kenë akses në Gjykaten Kushtetuese (GJK), pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juiridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave[2]. Koncepti i procesit të rregullt ligjor dhe vecanërisht e drejta e aksesit në gjykate ka qënë objekt  i jurisprudencës së GJK, që ka bërë dhe interpretimin e ketij parimi, duke e cilësuar aksesin në gjykatë : si të drejtën që gëzon çdo individ për të ngritur padi në një gjykatë që ka juridiksion të plotë për të zgjidhur çështjen, që sanksionon në vetvete jo vetëm të drejtën e individit për t’ju drejtuar gjykatës por edhe detyrimin e shtetit që t’ia garantojë atij këtë akses[3]. Më tej GJK theksohet që: e drejta për t’iu drejtuar gjykatave nuk përfshin vetëm të drejtën për të hapur një proces, por edhe të drejtën për të pasur, nga ana e gjykatës, një zgjidhje përfundimtare në lidhje me mosmarrëveshjen[4], dukë qëndruan në kete linjë GJK shprehet se në rast se mohohet një e drejtë e tillë, procesi konsiderohet jo i rregullt, sepse aksesi në gjykatë është, para së gjithash, një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera. Shteti i së drejtës nuk mund të konceptohet pa u njohur individëve të drejtën dhe mundësinë për t’iu drejtuar gjykatës[5].

Në gjykimin e rasteve (prane GJK) me objekt shkeljen e së drejtë për akses në gjykatë, në kuadër të procesit të rregullt ligjor, ka arsyetuar që përbën shkelje e të drejtë së aksesit, nxjerrja e  cështjes objekt gjykimi jashtë juridiksionit gjyqësor, kur gjykata ka keqinterpretuar ligjin material. Kështu në vendimin nr. 10, datë 04.04.2007 të GJK, në zbatim të ligjit “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, Ministri i Financave ka urdhëruar, sekuestrimin e pasurive dhe të llogarive bankare të Shoqërisë Tregtare “Albanian International Investment & Development Co” ShPK. Kjo shoqëri i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë për anullimit e urdhërit, e cila mbi kërkesën e palës së paditur, ia ka përcjellë çështjen Gjykatës së Lartë, për t’u shprehur në mënyrë përfundimtare lidhur me juridiksionin gjyqësor mbi këtë objekt. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, ka vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, duke interpretuar gabim ligjin material që parashikonte në mënyrë të shprehur të drejtën e ankimit nga çdo subjekt i interesuar apo në mirëbesim, në Gjykatën, për të kërkuar të drejtat lidhur me pasuritë e sekuestruara me akt administrativ. Ndërkohë që kërkuesi kishte pretenduar që ishte në mirëbesim.

GJK në vendimi nr. 22, datë 26.07.2006 vlerëson se edhe mos marrja në shqyrtim e rekursit ne Gjykatën e Larte me pretendimin që rekursin është depozituar jashtë afatit ligjor, kur shkelja e afateve për depozitim e rekursit ka ardhur për shkak të gabimeve të administratës gjyqësore, përbën shkelje të së drejtës së aksesit në gjykatë. Me këtë pretendim GJK konstaton se  kjo e drejte nuk mund t’i cenohet kërkuesit për shkaqe që rrjedhin nga mangësitë apo gabimet në veprimtarinë e vetë organeve shtetërore[6].

Në vendimi nr. 28, datë 16.12.2008 të GJK ka shpallur antikushtetues vendimin e gjykatës së apelit Korcë. Në vendimin e saj, gjykata, ndër të tjera, shprehet  se, “… padia e ngritur nga paditësi nuk mund të ngrihet, aq më shumë kundër Bashkisë Korçë, …”. Me këtë arsyetim jo të plotë është vënë në diskutim e drejta e kërkuesit për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje për themelin e pretendimit të tij dhe gjykata ka lënë të nënkuptohet që ai nuk ka një bazë ligjore ku mund ta mbështesë padinë e tij. GJK e vlerëson të lidhur me të drejtën e akcesit parimin e deklaruar nga neni 1 i Kodit të Procedurës Civile: “Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë.”. Gjykata, për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje ka detyrën funksionale për të kryer interpretime të ndryshme në lidhje me kuptimin e normave, me kërkimin e normave që rregullojnë rastet analoge apo me identifikimin e parimeve të përgjithshme dhe të  jurisprudencës kushtetuese.

Më tej Gjykata Europiane në praktikës e saj ka vlerësuar si shkelje të parimit të aksesit në gjykata, vendosjen e kuotave të papërballueshme të rregjistrimit në gjykatë, apo të shpenzimeve të tjera nga të cilat varet hapja e procesit dhe zhvillimi i tij. Në vendimin Kreuz kundër Polonisë, 19 qershor 2001 [7], kërkuesi pretendonte dëmshpërblim për mosnxjerrjen e një akti administrativ nga Bashkia. Kerkuesi pretendonte të përjashtohej nga ky detyrim pasi ishte i papunë dhe nuk kishte mjete finaciare të mjaftueshme. Ai nuk arriti të paguante shumën dhe gjykata vendosi pushimin e cështjes. Gjykata Europiane u shpreh se shpenzimet e larta gjyqësore përbëjnë shkelje të së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës.

A mund të kufizohet e drejta e aksesit në gjykatë ?

E drejta e aksesit në gjykatë, si e drejtë kushtetuese, nuk ka karakter absolut; ajo mund t`iu nënshtrohet kufizimeve në bazë të kritereve të përcaktuar në nenin 17 të kushtetutës, duke respektuar parimin e proporcionalitetit deri në atë masë sa të mos cënohet thelbin e kësaj të drejte.  Rasti me tipik i kufizimit të të drejtës për akses në gjykatë, janë afatet parashkruese të paditë ose të veprës penale, të sanksionuara në ligjin material. Përcaktimi i këtyre afateve ka për qëllim respektimin e parimit të sigurisë juridike. Jurisprudenca e GJK është shprehur për kufizimin e të drejtës së aksesist në gjykatë në vendimin nr. 5, datë 06.03.2009, të niciuar me kërkesë të Gjykatës së Apelit Vlorë që pretendon shfuqizimin si të papajtueshem me kushtetutën të nenit 329 pika 1 te KPP, që parashikon moslejimin e ankimit ndaj vendimit të pushimit të çështjes nga prokurori, kur fakti nuk ekziston, duke kufizuar në të drejten e aksesin në gjykatë . Në arsyetimin e saj GJK i është referuar nenin 17 te kushtetutës, duke theksuasr “se një kufizim mund të jetë vetëm atëherë i përligjur dhe kushtetues kur bëhet në përputhje me kushtet e nenit 17 të Kushtetutës[8] në rastin konkret mosnënshtrimi i vendimit të prokurorit kontrollit gjyqësor jo vetëm që prek të drejtën e individit për t’iu drejtuar gjykatës, por nuk mbron ndonjë interesi publik. Moslejimi i ankimit ndaj vendimit të prokurorit i ka mohuar tërësisht individit përballjen e tij me drejtësinë, duke mosparashikuar asnjë mundësi rishikimi të tij nga një organ i pavarur dhe i paanshëm, siç është gjykata. Mosankimi i vendimit të prokurorit  bie ndesh edhe me përmbajtjen e nenit 17 të Kushtetutës, i cili parashikon kriteret e kufizimeve të të drejtave dhe lirive themelore që duhen respektuar në çdo rast nga ligjvënësi GJK çmon se parashikimi ne nenin i nenit 329/1, nuk rezulton të jetë në përputhje me përmbajtjen e nenit 42 dhe të nenit 17 të Kushtetutës, pasi cenon individin në të drejtën e tij për t’iu drejtuar gjykatës si element përbërës i procesit të rregullt ligjor dhe përbën një kufizim të papërligjur nga pikëpamja kushtetuese.

Për të përfunduar, e drejta e aksesit në gjykatë nuk nënkupton vetëm të drejtën e individit për t’iu drejtuar gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por dhe detyrën e gjykatës për të dhënë një zgjidhje përfundimtare në lidhje me mosmarrëveshjen. E drejta për t’iu drejtuar gjykatës nuk duhet vetëm të parashikohet, por dhe të jetë efektiv. E drejta e aksesit në gjykatë nuk është një e drejte apsolute, por mund të kufizohet duke respektuar kriteret kushtetuese të  sanksionuara në nenin 17 të saj.

PUNOI: Av. Mentor BIMI

LITERATURE :

-Kushtetuta e Republikës së Shipërisë;

-Konventa Europiane për të Drejat e Njëriut;

-Vendimet e GJK (nr. 22, datë 26.07.2006, nr. 28, datë 16.12.2008, nr. 12 datë 28. 04. 2009, nr 17 datë  19.06.2009,  nr 18 datë 08.07.2009,);

-Aurela Anastasi & Luan Omari “E drejta kushtetuese”, ABC, Tirane 2010;

-Alfred Karamuco Kërkesa e Kushtetutës rreth “Procesit të rregullt ligjor”, Revista  “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore”, nr 4;

-Enciclopedia giuridica , Il sole 24 ore, Torino 2007;

-www.ius.info ;

-www.gjk.gov.al.


[1] Në nenin 42 të Kushtetutës gjenden dy koncepte lidhur me garancitë e qytetarëve në mbrojtje të lirisë, pronës ose të të drejtave të njohura me Kushtetutë dhe me ligj: “procesi i rregullt” (paragrafi i parë) dhe “gjykim i drejtë” (paragrafi i dytë)
[2] Kështu, në nenin 131/f të Kushtetutës parashikohet “gjykimi përfundimtar i ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juiridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave”.
[3] Shih Vendimin nr. 17 datë 19.06.2009 të Gjykatës Kushtetuese
[4] Shih Vendimin nr. 12 datë 28. 04. 2009 të Gjykatës Kushtetuese
[5] Shih Vendimin nr. 18 datë 08.07. 2009 të Gjykatës Kushtetuese
[6] Vendimi nr. 22, datë 26.07.2006

[8]  Sipas nenit 17, kufizim i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutë është i justifikuar, nëse ai vendoset me ligj për një interes publik ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë dhe në asnjë rast nuk duhet të prekë thelbin e lirive dhe të të drejtave apo të tejkalojë kufizimet e parashikuara në KEDNj.

About these ads